PDK-ja premton rimëkëmbje sociale
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka vijuar takimet paraelektorale në njësinë nr.4 në Tiranë. Gjatë bashkëbisedimit me mbështetësit e kësaj zone, Ndoka tha se PDK është e vendosur për rimëkëmbjen sociale të qytetarëve shqiptarë. Sipas tij, PDK-ja, në dallim nga forcat e tjera politike në vend, ka ofruar për zgjedhësit një paketë konkrete, e cila do të mundësojë përmirësimin e jetesës sociale të qytetarëve, duke vënë në plan të parë çiftet e reja, arsimin, kujdesin ndaj studentëve, si dhe përmirësimin konkret të strehimit. Gjithashtu, Ndoka u tha të pranishmëve se emrat dhe kandidaturat që PDK ka prezantuar për Qarkun e Tiranës, nuk janë artificialë dhe numra rendorë vetëm se i kërkon ligji, por një zë i fuqishëm në qeverisjen e nesërme. Nisur nga pjesëmarrja e shumtë e grave në sallë, Ndoka i inkurajoi të pranishmit që të jenë protagonistë jo vetëm në jetën shoqërore, por edhe atë politike.