E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olli: “Pjesëmarrje e ulët, procesi normal”

Autori i Lajmit: red.
Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, konfirmoi të dielën se "deri në orën 15:30 të ditës së sotme (dje), në komunën e Kasharit në Tiranë, ku po votohet për zgjedhjen e kryetarit të kësaj komunës, kanë votuar rreth 35 për qind e zgjedhësve të regjistruar në listat elektorale". Duke e vlerësuar si një proces të qetë zgjedhor, Olli u shpreh se "subjektet politike kanë paraqitur propozimet për 16 anëtarët e grupeve të numërimit të votave, ndërkohë që pritet emërimi i tyre nga KZQV-ja e komunës Kashar, për të proceduar më pas me procesin e trajnimit". "Kemi një proces zgjedhor normal dhe brenda të gjitha parametrave, pa asnjë lloj shqetësimi apo hije incidentesh si në disa raste të tjera, ndërkohë që e tillë është vlerësuar edhe fushata elektorale". Zëdhënësi i KQZ-së, bëri të ditur se "edhe nga subjektet politike nuk ka patur asnjë ankesë", ndaj sipas tij "nisur nga këto të dhëna pritet që në orën 19:00, 18 qendrat e votimit të mbyllen normalisht, për të kaluar më pas në procesin e numërimit të votave".

Në orën 18.00 paraqitja
në votime rreth 45 për qind

Rreth 40 për qind e zgjedhësve të komunës Kashar në rrethin e Tiranës kanë votuar deri në orën 18.00 të ditës së djeshme, për kryetarin e ri të kësaj komune. Burime nga Komisioni Zonal i Qeverisjes Vendore të komunës Kashar bënë të ditur se procesi i djeshëm zgjedhor ka vijuar normalisht dhe nuk është shënuar asnjë incident, ndërkohë që qendrat e votimit pritet të mbyllen në orën 19:00.

Përfundon pa asnjë incident
në orën 19.30, 50% pjesëmarrja

Ka përfunduar normalisht procesi i votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Komunës së Kasharit, ku kandidonin përballë njëri-tjetrit Besnik Fuçia i Partisë Demokratike, Sinan Egra i Partisë Socialiste, Alfred Bakalli i LSI-së, dhe kandidati i pavarur Rustem Murati. Procesi i votimit nisi në orën 07:00 dhe përfundoi në orën 19:00. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Leonard Olli, "të 18 qendrat e votimit të komunës Kashar u mbyllën në orën 19:00 dhe nga 13 371 zgjedhës që ishin regjistruar në listat elektorale rezulton të kenë votuar mbi 6 mijë votues, pra mbi 45 përqind e zgjedhësve". "Pritet mbyllja e procesverbaleve dhe materialit zgjedhor në çdo qendër votimi dhe transportimi i tyre pranë KZQV-së të komunës Kashar. Gjithashtu rreth orës 20:00 pritet të fillojë dhe trajnimi i Grupeve të Numërimit të Votave, të cilat u konstituan në orën 16:30", tha zoti Olli. Sipas tij "nëse procesi i transportimit të materialeve zgjedhore vijon normalisht, rreth orës 22:00 pritet të fillojë procesi i numërimit të votave". Zgjedhjet në Komunën e Kasharit zhvillohen pas arrestimit të ish- kryetarit të komunës Kashar Alfred Sula, me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Kandidatët për Kryetar Komune

1. ALFRED PETRIT BAKALLI- LSI,PDS,AD

2. BESNIK ISLAM FUÇIA- Partia Demokratike

3. RUSTEM BILAL MURATI- I Pavarur

4. SINAN TAHIR EGRA-Partia Socialiste
Ky lajm është publikuar: 28/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›