Olli: Sot nis vlerësimi i dëmeve nga tërmeti
Grupi i punës zbret në Dibër për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile, Alfred Olli, deklaroi dje se është ngritur grupi i punës dhe sot nis analiza për të gjitha dëmet e shkaktuara në Qarkun e Dibrës si pasojë e tërmetit të rëndë, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz. Kreu i emergjencave vuri në dukje se edhe dje ka vazhduar ndihma ndaj familjeve në nevojë, duke i pajisur me çadra, sidomos ato që i kanë shtëpitë të pabanuara. Olli tregoi më tej se aktualisht janë të mjaftueshme ndihmat e dërguara në këtë qark për të përballuar situatën, si për çadra, ashtu edhe për veshje dhe ushqime. Ai deklaroi se grupet e punës po qëndrojnë pranë këtyre familjeve dhe po vlerësojnë situatën. "Ndërsa sot do të fillojë analiza e hollësishme për të evidentuar të gjitha problemet e krijuara dhe për të përllogaritur dëmet e shkaktuara. Sipas tij, nga të dhënat paraprake rezulton se deri tani janë të pabanueshme plotësisht 10 banesa. "Ndërsa me dëmtime të pjesshme kemi 164 banesa", deklaroi Alfred Olli. Ai shpjegoi se nga rezervat e shtetit janë dërguar 1.2 tonë ndihma, që konsistojnë në veshje dhe ushqime, ndërkohë që nuk mungojnë as çadrat për banim. Sipas tij, janë dërguar 84 çadra, duke marrë ndihmë edhe nga forcat e ushtrisë, brenda të cilave mund të strehohen 4-5 persona. Më tej, drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile theksoi se pas kësaj situate të rëndë janë ngritur të gjitha shtabet e nevojshme dhe situata është nën kontroll.