Tragjedi në Libi, mbytet anija me 300 emigrantë
Mbi 300 emigrantë u mbytën dje pasi anija-varkë me të cilën udhëtonin u zhyt në brigjet e Libisë. Zyrtarët libianë kanë konfirmuar deri tani vdekjen e 21 personave dhe rreth 20 të shpëtuar. Organizata Ndërkombëtare për Migrim thotë se, sipas informatave të saj, varka e kontrabandistëve mbante qindra emigrantë. Zëdhënësi i IOM-it Jean-Philippe Chauzy tha se “Anije të tilla janë zakonisht të mbipopulluara, sepse askush nuk mendon për sigurinë, qëllimi është të rrasin sa më shumë njerëz që të jetë e mundur në këto varka, me mosrespektim total për sigurinë dhe dinjitetin e atyre njerëzve që marrin në anije, të cilët duan të shkojnë drejt Italisë dhe ishullin Lampeduza”, tha Chauzy. Autoritetet egjiptiane raportuan se ngjarja ndodhi rreth 30 kilometra nga brigjet e Libisë. Ata thanë se disa shtetas egjiptianë, që ndodheshin aty u shpëtuan, por trupat e 10 egjiptianëve të tjerë janë mes viktimave. Ndërsa shefi i misionit të IOM-it, Laurence Hart në Tripoli, kryeqyteti i Libisë, tha për agjencinë e lajmeve AFP se “Një varkë me 257 emigrantë në bord u mbyt në brigjet e Libisë”. Anija u përmbys nga erërat e forta dhe shirat. Zyrtarët thanë se operacionet e kërkimit vazhduan, por nuk ka shpresa për të gjetur të mbijetuar. Hart tha se “Ka zëra edhe për dy anije të tjera ... por nuk është konfirmuar nëse këto janë anije peshkimi apo varka me emigrantë. Nuk ka më kontakt radio me këto dy anije”, tha ai.