E Diel, 1 Nëntor 2026

Trazira të forta në Greqi, bomba në ministri

 

Protestues të panjohur sulmuan zyrat e dy zëvendësministrave dhe politikanëve në Athinë, duke përdorur katër bomba vajguri dhe bombola gazi të martën. Sulmi ndodhi kundër zyrave të zëvendës ministrit të Brendshëm dhe atij të Kulturës dhe shkaktuan dëme të vogla, por jo viktima. Detajet e sulmeve kundër katër politikanëve nuk u publikuan nga policia greke. Sulmi ndodhi pak kohë pas agresionit në pesë degë të bankave, po të martën. Javën e kaluar, një shpërthim të fuqishëm tronditi portin kryesor të Pireut, në Greqi, duke shkaktuar dëme në ndërtesat aty afër, por pa shkaktuar viktima. Kohët e fundit Greqia ka pësuar sulme të vazhdueshme me bomba dhe zjarrvënie mbi banka dhe biznese, që pas vrasjes së një 15-vjeçari nga policia në dhjetor, që ngjalli trazirat më të këqija që ka parë ky vend ndër dekada. Dhuna ka vënë në pozitë të vështirë kryeministrin, Kostas Karamanlis, qeveria e të cilit është kritikuar për paaftësinë e saj për të mbrojtur qytetarët. Sipas “Earthtimes”, qeveria greke është zotuar për t’iu përgjigjur  dhunës në rritje dhe ka kërkuar këshilla nga policia e Londrës. Një raport i ri i “Amnesty International” e akuzon policinë greke për shkelje të rënda të së drejtave të njeriut dhe i bën thirrje qeverisë për të ngritur një komision për të hetuar pretendimet e përdorimit të tepërt të forcës kundër demonstruesve dhe të burgosurit. Në raportin e publikuar të hënën, vëzhguesit thanë se kishin “dyshime në rritje për shkeljen e të drejtave” nga policia, që nga vrasja e një të riu nga një oficer në qendër të Athinës, në zonën “Exarchia” dhjetor. Sipas gazetës greke “Kathimerini”, “Amnesty” tha se kishte informuar ministrin e Brendshëm grek, Prokopis Pavlopulos për një numër të rasteve, në të cilat oficerët e policisë janë akuzuar se kanë arrestuar dhe keqtrajtuar në mënyrë arbitrare demonstruesit paqësor. Një nga incidentet është përmendur më 9 janar, kur disa avokatë thuhet se janë arrestuar dhe keqtrajtuar gjatë një demonstrimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›