Obama në Evropë, Londra ndalesa e parë
Presidenti Barak Obama po kryen vizitën e tij të parë zyrtare në Evropë. Ai do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të G20-s në Londër dhe do të zhvillojë bisedimet e para me udhëheqësit e vendeve më të mëdha të botës. Obama deklaroi për mediat, se grupi i 20 vendeve më të industrializuara dhe në zhvillim duhet të japë një mesazh të fuqishëm uniteti për t’iu kundërvënë krizës ekonomike globale, për të cilën shumë vende fajësojnë SHBA-në dhe sistemin e saj bankar liberal. Obama do të marrë pjesë gjithashtu në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Strasburg të Francës. Gjatë vizitës në Londër për takimin ekonomik, Obama do të zhvillojë bisedime me kryeministrin britanik dhe indian, presidentin e Kinës dhe të Rusisë, si dhe me Mbretin e Arabisë Saudite. Ai do të ndalet edhe në Republikën Çeke, ku Shtetet e Bashkuara planifikojnë të instalojnë pjesë të një sistemi për mbrojtjen antiraketë, që Rusia e kundërshton me forcë. Ai do të takohet atje edhe me kryeministrin e Spanjës, Hoze Luis Rodrigez Zapatero, i cili para pak kohësh njoftoi plane për tërheqjen e trupave spanjolle nga Kosova.