Podgoricë, konfirmohet fitorja e Gjukanoviçit
Komisioni Shtetëror Zgjedhor në Malin e Zi ka konfirmuar dje fitoren bindëse të koalicionit “Mali i Zi Evropian”, që udhëhiqet nga kryeministri, Milo Gjukanoviç. Sipas rezultateve paraprake, ky koalicion ka fituar 48 nga 81 vendet në Parlamentin e Malit të Zi dhe kjo i mundëson koalicionit që ta formojë vetë qeverinë. Gjukanoviçi i ka kërkuar vetë zgjedhjet e parakohshme, me argumentin se ai dëshiron ndërmarrjen e reformave të forta ekonomike dhe sociale, që janë të nevojshme për afrim me Bashkimin Evropian. Opozita konsideron se qeveria është ngutur me zgjedhje të parakohshme për shkak të frikës se kriza globale financiare ka mundur ta dëmtojë popullaritetin e Gjukanoviçit në periudhë afatgjatë.