Bonot, gati udhëzimi për ndarjen
11/01/2010 Ligji hyn në fuqi në fund të muajit. AMF do të nxjerrë aktet nënligjore
Financat do të nxjerrin rregullat për kategoritë që do t’i rimarrin nga bankat
Ministria e Financave do të përgatisë udhëzimin për procedurat dhe afatet e rishpërndarjes së bonove të privatizimit. Ligji hyn në fuqi në fund të këtij muaji, pasi është botuar në Fletoren Zyrtare. Mësohet se bonot e privatizimit do t’u rishpërndahen vetëm personave, të cilët e morën këtë të drejtë në vitin 1995. Sipas ekspertëve të Financave, pritet që të bëhet një rivlerësim i gjendjes, në cilat banka janë të shpërndara bonot e privatizimit dhe më konkretisht sa është vlera në total e tyre. Më pas do të përpilohen rregullat e përbashkëta për rishpërndarjen e tyre tek personat e interesuar. Sipas tyre, nuk do të ketë lëshim të bonove të reja të privatizimit, në formën e parashikuar në ligjin e vitit 1995, por vetëm një rishpërndarje të tyre.
Aktet nënligjore
Dispozita kalimtare e këtij ligji parashikon se do të jetë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili do të nxjerrë aktet nënligjore për fondet e investimeve. “Me hyrjen në fuqi të këtij ligji të gjitha bonot e privatizimit të investuara në fondet e investimit të krijuara me ligjin e vitit 1995 “Për fondet e investimeve” iu rishpërndahen individëve. Ministri i Financave me udhëzim rregullon procedurat dhe afatet e rishpërndarjes”, - thekson dispozita kalimtare e ligjit. Personat e interesuar do të paraqiten me një dokument identifikimi për të tërhequr letrat me vlerë në bankat përkatëse dhe në mungesë të vetë personit edhe të afërmit e tij mund të tërheqin këto letra me vlerë, duke paraqitur një prokurë të veçantë që i autorizon ata të veprojnë në mungesë të tyre. Në rast të grumbullimit të tyre në një fond të vetëm, qeveria ka vendosur rregulla konkrete për detyrimet që kanë palët. Kjo duke ruajtur si përqindjen e aksionit, ashtu dhe rolin që do të duhet të ketë fondi në administrimin e letrave me vlerë, apo titujve të pronësisë.
Tregu aktual
Në vendin tonë kanë ekzistuar tre fonde investimesh ku qytetarët kanë depozituar letrat e tyre me vlerë kundrejt pagesës dhe më i njohuri mbetet Anglo-Adriatica. Ky fond humbi të drejtën për t’u aktivizuar në privatizime nëpërmjet bonove për shkak se leja e aktivitetit skadoi në vitin 2000, ndërkohë që qeveritë e mëparshme nuk i dhanë të drejtë blerjeve të pronës publike me bono. Aty kanë depozituar bono privatizimi rreth 47 mijë familje dhe me një vlerë rreth 10 miliardë lekë. Por gjithashtu është edhe një numër i konsiderueshëm i të përndjekurve politikë që nuk kanë arritur t’i vënë në përdorim bonot e privatizimit. Ndaj dhe me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, do të nisë rishpërndarja e këtyre letrave me vlerë. Gjithsesi ekspertët theksojnë se rishpërndarja e letrave me vlerë është dhe respektim e së drejtës së gjithsecilit, pasi në këtë mënyrë të gjithë do të marrin atë çfarë u parashikua nga ligji i asaj kohe. Veç letrave me vlerë ky draft krijon dhe mundësinë që të aplikohet dhe bursa e tregtimit të titujve në Tiranë, apo dhe shitblerja e kontrolluar e titujve të pronësisë. Hartuesit e relacionit të këtij ligji theksojnë se fondet e investimeve kolektive kërkojnë një rregullim ligjor të mirë, për t’i dhënë mundësi Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare t’i zhvillojë dhe t’i nxisë këto sipërmarrje të investimeve kolektive. Synimi kryesor është të sigurojë një mbrojtje efektive të interesave të investitorëve, të cilët nxiten nga ofertat e operatorëve të këtyre skemave. Investitorët në këto fonde janë institucionet dhe gjithashtu individë dhe secili prej këtyre grupeve të interesit kanë nevojë për nxitje, për të marrë pjesë në skemat e fondeve kolektive.
Investimet
Investitorët individë zakonisht janë të prirur drejt investimeve afatshkurtra, ndërkohë që investitorët institucionalë janë të prirur të jenë pjesë e strategjive të investimeve afatgjata, në tregun e titujve, pra në bursë, duke ndihmuar kështu në krijimin e tregut të qëndrueshëm. Tregu i kapitalit në vend është i paorientuar. Shkak është bërë mungesa e kuadrit ligjor, i cili ka nisur të plotësohet gjatë dy viteve të fundit, por ende kërkon një plotësim me rregullore të posaçme. Aktualisht hartuesit e ligjeve janë duke plotësuar paketën ligjore me tre projektligje që formojnë kuadrin e plotë të tregut të kapitalit.
Kategoritë
Ekspertët shprehen se nuk do të ketë lëshim të fondeve të reja, por vetëm rishpërndarje për personat, të cilët e morën këtë të drejtë në vitin 1995. Si pasojë e ngjarjeve të asaj kohe, apo daljes së fondeve të ndryshme të investimit, të cilat nuk rezultuan të suksesshme këta persona nuk i kanë më në posedim të tyre. Edhe në rast të grumbullimit të tyre në një fond të vetëm, qeveria ka vendosur rregulla konkrete për detyrimet që kanë palët. Kjo duke ruajtur si përqindjen e aksionit, ashtu dhe rolin që do të duhet të ketë fondi në administrimin e letrave me vlerë, apo titujve të pronësisë.