E Shtunë, 31 Tetor 2026

Omonia e Sarandës, kundër vendimit të Dules



Dega e Omonias në Sarandë ka protestuar dje nëpërmjet një deklarate ndaj vendimit të PBDNJ-së për t’iu bashkuar koalicionit të majtë. “Vendimi i fundit i zotit Dule, që të nënshkruajë marrëveshje parazgjedhore me të majtët pa marrë parasysh propozimin e shumicës së kryesisë të Omonias dhe kërkesën e shumicës së popullit që të mbetemi një forcë politike autonome edhe në këto zgjedhje, përbën shkelje flagrante të demokracisë në gjirin e organizatës”, - thuhet në deklaratë.

Po ashtu, dega e Sarandës kritikon edhe Omonian, e cila sipas kryetarit të shkarkuar të Sarandës, Kristaq Kali, nuk mblodhi menjëherë organet vendimmarrëse sikundër e përcakton statuti, për të sqaruar arsyet e marrëveshjes dhe përmbajtjen e saj. Ai sqaron edhe pozicionin e tij kundër kësaj marrëveshjeje dhe debatet e zhvilluara në gjirin e Omonias për këtë problem. Për anëtarët e Omonias së Sarandës, ajo që i bashkon minoritaret është identiteti i tyre i përbashkët dhe jo bindjet e tyre politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›