E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja, minatorët do japin votat për PS-në



Partia Socialiste dhe Sindikata e Minatorëve të Shqipërisë kanë nënshkruar një marrëveshje angazhimi me njëra-tjetrën, e cila është firmosur nga kryetari Edi Rama dhe kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri. Sipas njoftimit për shtyp të PS-së, Sindikata e Minatorëve ka vlerësuar se vetëm Partia Socialiste mund të përfaqësojë denjësisht interesat e minatorëve. Gjithashtu, minatorët pasi kanë vlerësuar programin, kanë vendosur se do të mbështesin alternativën e Partisë Socialiste të Shqipërisë, e cila sipas kësaj sindikate, ka programin më të mirë qeverisës dhe vizionin e duhur politik për drejtimin e vendit. Sindikata e Minatorëve angazhohet përmes kësaj marrëveshjeje që t’iu bëjë thirrje të gjithë minatorëve të Shqipërisë dhe familjeve të tyre për të votuar alternativën socialiste, si pjesë e koalicionit “Bashkimi për ndryshim” në zgjedhjet e qershorit 2009. Ndërsa, PS angazhohet se do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me Sindikatën e Minatorëve të Shqipërisë, duke komunikuar e më vonë formuluar instrumentet konkrete për plotësimin e kërkesave të tyre. “PSSH ka pranuar se është dakord në parim me kërkesat e minatorëve të Shqipërisë, të përfaqësuar nga sindikata dhe siguron se do të sensibilizojë, në çdo rrethanë, Kuvendin e Shqipërisë mbi çështjet e minatorëve dhe do t’i mbështesë ato”, - thuhet në njoftimin e selisë rozë. Ndërkohë sindikata do të bëjë fushatë intensive për t’iu dhënë votën socialistëve. Ajo do të vërë në shërbim të fushatës zgjedhore 2009 për Partinë Socialiste degët dhe nëndegët e veta, të gjitha mjetet dhe kapacitetet që disponon, në mënyrë që secila votë e minatorëve, familjeve dhe rrethit të tyre fisnor e shoqëror të jetë në favor të PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›