PD në Kukës: Do të marrim 4 mandate
Demokratët synojnë 4 mandatet për deputetë në qarkun e Kukësit. Kandidatët për deputetë të PD-së në qarkun e Kukësit, Flamur Noka, Besnik Dushaj dhe Fatos Hoxha kanë zhvilluar këto ditë një sërë takimesh elektorale në komunat e rretheve të Hasit e të Kukësit. Kandidatët për deputet të PD-së janë takuar me zgjedhësit e komunave të Bushtricës, Grykë-Cajës, Bicajt të rrethit të Kukësit si dhe të komunave Golaj e Fajza të rrethit të Hasit. "PD-ja synon t'i fitojë të katër mandatet në qarkun e Kukësit", - janë shprehur kandidatët për deputetë të kësaj force politike, duke shtuar se "gjatë këtij 4-vjeçari i kemi realizuar thuajse të gjitha premtimet, ndaj kërkojmë sërish votën e zgjedhësve". Kandidati Noka, pasi ka cilësuar rrugën Durrës – Kukës – Morinë si rruga e ribashkimit të shqiptarëve, ka përmendur edhe disa nga investimet e realizuara në qarkun e Kukësit, veçanërisht në zonat rurale të tij, si rikonstruksioni i rrugës Kukës – Krumë, me një fond prej 15 milionë eurosh, rikonstruksionin e akseve rrugore rurale etj.