E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Shkodër me fjalët e Mjedës, Koliqit e Mosit



Edi Rama ka zgjedhur të përdorë fjalët e titanëve të kulturës shkodrane për të bërë fushatë në qytetin verior të Shkodrës. Në mitingun e zhvilluar dje, ai ka përdorur vargje të Mjedës apo të Fishtës, ndërkohë që u ka premtuar shkodranëve se qeverisja e re do i çojë drejt Evropës. “I jam mirënjohës Shkodrës për lirikat e Mjedës dhe Shirokës, për “Lahutën” e ndaluar të Fishtës dhe patriotizmin pa rrena të At Gjergjit. Për letërsinë qytetare të Ernest Koliqit dhe angazhimin shoqëror të Hil Mosit, i cili gati një shekull më parë thoshte: “Lufta e ardhshme asht lufta e dijes shqiptare kundra armikut të zemrës së vet, asht lufta e një mendjeje krijuese kundër një mendjeje desktruktive, asht lufta e një botëkuptimi dritë kundra një botëkuptimi errsinë”. Asht lufta për oksidentalizmin shqiptar. Asht lufta për Shqipërinë si gjithë Evropa, motra e vëllezër shkodranë, shtoj unë sot duke dëgjuar Hil Mosin”. Me këtë frazë e hapi fjalimin e tij para simpatizantëve socialistë në këtë qytet kreu i PS-së. Rama duke përdoruar gjuhën e Hil Mosit ka treguar se pse është ai në këtë garë, dhe pse gara e tij nuk ka të bëjë me etjen për pushtet që simbolizon kundërshtari i tij politik Berisha. Ai ka vënë theksin tek ajo se çfarë simbolizon rivali i tij politik në pushtet dhe pse sipas tij, një forcë e re si PS duhet të marrë në dorë fatet e vendit. Ashtu siç ka bërë dhe në hapje të fushatës elektorale, Rama ka riprekur temën e komunizmit duke mos e bërë më atë temë tabu për PS-në që është pasardhëse e Partisë së Punës. “I jam mirënjohës Shkodrës për shpirtin evropian të rezistencës ndaj mësymjes vrastare të territ komunist, që u derdh mbi këtë qytet me të gjithë forcën e urrejtjes të një mendjeje destruktive, kundër mendjes krijuese. Dhe ta mbash në konflikt Shkodrën e Shqipërinë, në emër të së shkuarës komuniste, siç bën enveristi i djeshëm dhe demokratisti i sotëm, Sali Berisha, do të thotë të mbash gjallë botëkuptimin errsinë, e ta mbash kohën shqiptare në vend nga pikëpamja shoqnore”, - u shpreh Rama. Duke mos i hequr nga frazat emrat e shkodranëve të njohur në kohë të ndryshme të historisë, Rama theksoi se “unë jam këtu për ta bërë të eci kohën shqiptare, jo duke u dhënë shkodranëve arsyet pse duhet të ndahen në emër të së shkuarës komuniste, po pse duhet të bashkohen në emër të së ardhmes evropiane që njëkohësisht është edhe e shkuara e ndritur e Shkodrës oksidentale të Luigj Gurakuqit dhe të Migjenit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›