E Shtunë, 31 Tetor 2026

“One stop shop”, do të jetë agjencia e vetme e licencimit

-          Kryeministri Berisha: Po punojmë intensivisht për liberalizimin e tregut dhe heqjen e licencave

Kryeministri Berisha tha sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, se po bëhet një punë intensive për liberalizimin e tregut dhe të ekonomisë me heqjen e licencave.

“Gjatë kësaj periudhe është bërë një punë intensive anti-licencë. Çdo hap drejt liberalizmit është një hap drejt lirisë. Kjo është dhe duhet të jetë motoja jonë,” u shpreh Kryeministri.  

Duke vlerësuar se në këtë drejtim është bërë progres thelbësor, Kryeministri tha se do të hiqet pjesa më e madhe e licencave dhe ato që mbeten do të kalojnë në “One stop shop”, që do të shndërrohet në agjencinë e vetme të licencimit.

“Dy-tre javët e fundit ka një progres thelbësor në këtë drejtim. Dua të përgëzoj të gjithë ata, të cilët, me vullnet të palëkundur, po zgjasin përditë listat me licencat që do të hiqen. Licencat janë barrierë dhe korrupsion. Le të bëhemi vendi më i hapur. Ne po heqim shumicën dërrmuese të licencave. Ato që mbeten, për shkak të përgjegjësisë, sigurisë dhe shkaqe të tjera të domosdoshme, do të përfundojnë në “One stop shop”. Me ndërtimin e tij, nuk do të ketë asnjë agjenci tjetër licencimesh përveç “One stop shop,” u shpreh Kryeministri.

Duke theksuar se raportimet e fundit për heqjen e licencave janë shumë inkurajuese, Kryeministri kërkoi nga ministritë që licencat të mos zëvendësohen me lejet.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›