E Diel, 1 Nëntor 2026

Në dy muajt e fundit çmimet e karburanteve janë ulur me 30 lekë



Çmimet e karburanteve në pikat e tregtimit në Tiranë kanë pësuar një ulje prej 5 lekësh për litër në ditët e para të vitit 2009. Në dy muajt e fundit çmimet e karburanteve në vend janë ulur 7 herë, me një shumë prej 30 lekësh për litër. Ndërsa çmimi i një fuçie naftë në tregun ndërkombëtar ka vijuar rënien pasi nga 64 dollarë para dy muajsh, ka arritur nën 40 dollarë. Çmimet e karburanteve në pikat e tregtimit në Tiranë janë ulur dje me 5 lekë për litër (1 litër naftë 100 lekë, 1 litër benzinë dhe 1 litër Euro Diezel 105 lekë për litër), duke pasuar uljen e dy javëve më parë, me të njëjtin çmim, 5 lekë për litër.
Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare çmimi i një fuçie nafte vazhdon të jetë në kuota të ulëta, nën 40 dollarë për fuçi, ndryshe nga fillimi i javës së kaluar, ku çmimi i një fuçie naftë në tregun ndërkombëtar ishte 46 dollarë.

Rimbursimi i TVSH-së, eksportuesit ankohen se janë në vështirësi

Ndërsa efektet e krizës ekonomike globale kanë filluar të ndihen edhe në vendin tonë, eksportuesit i kërkojnë qeverisë që të rimbursojë në kohë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, si e vetmja mënyrë që këto biznese, si më të ekspozuarat ndaj krizës, të mos dëmtohen. Eksportuesit deklarojnë se ndodhen në vështirësi financiare, pasi nuk janë rimbursuar nga Tatimet. Në këtë periudhë krize botërore, ata nuk kanë likuiditet për të punuar dhe për të respektuar kontratat me partnerët e huaj. Burime zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve deklarojnë se “gjatë vitit që lamë pas, janë rimbursuar rreth 2.4 miliardë lekë TVSH-së”. Por, sipas tyre, shumë kërkesa të tjera janë duke u verifikuar, veçanërisht për TVSH-në e viteve të mëparshme. Eksportuesit deklarojnë se ka bizneset që kanë mbi katër vite që nuk rimbursohen për TVSH-në dhe që shteti u ka borxhe që llogariten në qindra mijëra euro.

Analiza, OSSH-ja largon nga detyra drejtorin e Agjencisë në Krujë

Drejtori i Përgjithshëm i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Sahit Dollapi, në përfundim të analizës vjetore të punës në zonën e shpërndarjes së Durrësit, shkarkoi dje nga detyra drejtorin e Agjencisë së Krujës, Petrit Guni, dhe përgjegjësin e shitjeve, Gëzim Uka, për mosrealizim të treguesve. Lajmin e kanë bërë të ditur burime zyrtare të OSSH-së sipas të cilave, “vendimi për shkarkimin nga detyra të dy drejtuesve, u bë gjatë analizës vjetore të kompanisë në zonën e Durrësit, e cila përfshin Krujën dhe Fushë-Krujën”. Gjithashtu, nga detyra u lirua dhe kryeinxhinieri i Durrësit, Mirand Lipo dhe u shkarkuan 7 faturistë elektricistë në Fushë-Krujë dhe Krujë. Drejtori Dollapi tha se "përgjegjësisë nuk do t'i shpëtojë askush që nuk ka rezultate". Drejtori i OSSH-së do të vijojë analizat vjetore të punës edhe në zonat e shpërndarjes në Elbasan dhe Fier, bënë të ditur burimet zyrtare të kompanisë.

Linja e transmetimit Vau i Dejës - Lezhë, riparimet përfundojnë të mërkurën

Riparimi i linjës së transmetimit të energjisë 220 KV Vau i Dejës-Lezhë, e cila u dëmtua në ditët e para të muajit janar nga moti i keq, do të përfundojë të mërkurën, tha drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Ymer Balla. "Deri tani brigadat e riparimit të avarive kanë ngritur shtatë shtylla të tensionit të lartë, ndërsa sot po punohet për ngritjen e shtyllës së fundit dhe shtrirjen e telave", - nënvizoi Balla, duke shtuar se brigadat e riparimit të avarive të OST-së po punojnë me intensitet në terren për vënien sa më shpejt në punë të kësaj linje. Sipas tij, me riparimin e linjës Vau i Dejës-Lezhë, të gjitha linjat e transmetimit të energjisë elektrike do të jenë në punë. Linja e transmetimit të energjisë 220 KV Vau i Dejës-Lezhë u dëmtua rëndë në ditët e para të muajit janar, ku si pasojë e motit të keq u rrëzuan tetë shtylla të tensionit të lartë. Ndërkohë që dëmtime pati edhe në linja të tjera, por ato u riparuan menjëherë nga brigadat e riparimit të avarive të OST-së.

13 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›