Tregtimi i gazit, jashtë standardeve, 90 për qind e kompanive gati për t’u mbyllur
Ervin Koçi
Rreziku nga pikat e tregtimit të gazit është mjaft i lartë, për më tepër që një pjesë e madhe e tyre e ushtrojnë aktivitetin në mes të zonave të banuara. Shumica e subjekteve të licencuara nga Ministria e Ekonomisë për ushtrimin e këtij aktiviteti, nuk përmbushin as standardet më minimale të sigurisë dhe garancisë nga rreziqet, duke qenë në çdo çast “bomba” aktive, të gatshme për të shpërthyer në mes të zonave të banuara. Sipas Inspektoratit Qendror Teknik, niveli i teknologjisë që përdoret për mbushjen e bombolave të gazit në mjaft raste bëhet në rrethana artizanale. Në lidhje me këtë problem është shprehur edhe Avokati i Popullit, ku nëpërmjet një shkrese drejtuar prefektit të Tiranës, Dobjani evidenton jo pak raste shkeljesh me rrezikshmëri të lartë gjatë aktivitetit të tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tjera në këto pika, të cilat ndodhen fare pranë zonave të banuara.
Kontrolli
Nga një kontroll që Inspektorati Qendror Teknik ka ushtruar në pika të ndryshme të tregtimit të gazit dhe hidrokarbureve në kryeqytet, konkluzioni është se këto njësi tregtimi përbëjnë rrezikshmëri të lartë për jetën e qytetarëve. Kjo për arsye se mesat e sigurisë nuk respektohen në asnjë rast prej këtyre subjekteve. "Nuk plotësojnë kushtet teknike të sigurisë, duke vënë në rrezik çdo ditë jetën e qytetarëve. Nuk kanë dokumentacionin në rregull për veprimtarinë që ushtrojnë; nuk kanë leje mjedisore dhe për më tepër i mbushin bombolat e gazit në mes të rrugës, madje ngjitur me oborret e shkollave". Ky është konkluzioni i një kontrolli të ushtruar në pikat e mbushjes me gaz të lëngët, si dhe në njësitë e shitjes së gazit për veturat dhe karburantet në vend. Në lidhje me këtë çështje dhe kreu i Inspektoratit Qendror Teknik, Ilir Kurti, nuk mohon ekzistencën e një problematike të tillë, për të cilën muaj më parë deklaroi se në mbi 50 për qind e rasteve të evidentuara janë vërejtur shkelje flagrante.
Rreziku
Tregtimi i gazit të lëngshëm dhe karburanteve fare pranë zonave të banuara, jo rrallëherë është kthyer në kërcënim serioz për jetën e banorëve. Nga rreth 80 pika të shitjes me pakicë të gazit të lëngshëm të licencuara, 23 prej tyre janë në kryeqytet. Këtyre subjekteve u janë dhënë urdhra bllokimi për shkak se nuk përmbushnin kushtet teknike të sigurisë. Veç të tjerave, IQT, një pjesë të problemit ia ka faturuar pushtetit vendor. "Pikat e shitjes së gazit të lëngshëm në Tiranë s'kanë autorizimin e Bashkisë. Nga pikëpamja teknike, ato konsiderohen të rregullta. Kushtet e sigurisë nuk janë dhe aq keq, por distancat janë anormale. Ky është një problem i pushtetit lokal. Në të tilla raste ne kemi marrë masat tona duke mos i lejuar këto aktivitete të paligjshme dhe i kemi bllokuar ato", - sqarohet në raportin e IQT-së. Rreziku i pikave të shitjes së gazit është mjaft i lartë, ku sipas IQT-së, niveli i teknologjisë që përdoret për mbushjen e gazit shkon deri në rrethana artizanale. Shqetësim në këtë periudhë përbën edhe shitja e bombolave të gazit në dyqanet e produkteve ushqimore. Më qartë këtë situatë problematike e tregojnë rastet kur ka pasur shpërthime të depozitave apo të bombolave të gazit, si rasti i shpërthimit në Berat, ku humbën jetën babë e bijë; viktima në Vlorë, si dhe shpërthimi i një pike që tregtonte gaz në Korçë.
13 Janar 2009