Onkologjiku pa ilaçe, furnizimi në fund të gushtit
Ilaçet specifike, barnat spitalore në shërbimin e onkologjikut do të mbërrijnë të gjitha dhe në masë të gjerë në fund të verës, në muajin gusht. Lajmi është konfirmuar nga drejtoria spitalore e qendrës universitare “Nënë Tereza”. Mungesa e disa medikamenteve do të plotësohet përfundimisht deri në fund të sezonit të verës. Por sipas QSUT-së, një pjesë e medikamenteve ka mbërritur pavarësisht se pjesa dërrmuese e barnave spitalore, pritet të mbërrijnë pas dy muajsh. Problemi i vonesave kanë qenë procedurat tenderiale, të cilat sipas procedurave ligjore, kanë afate konkrete për t’u respektuar nga blerjet deri te furnizimi me shumicë i ilaçeve të nevojshme.
Mungesat në onkologjikBëhet fjalë për barna të cilat janë tepër të shtrenjta, për t’u blerë privatisht, edhe për ato shtesa të cilat kanë mundësi të përballojnë koston e terapisë. Por deri në furnizimin e bollshëm, shërbimi duhet të kullandriset me barnat që ka, me blerjet e vogla që janë bërë, por edhe me kombinacione medikamentesh, të njohura dhe të përdorura, në të shumtën e rasteve kur shërbimi ka mungesa.
Ndërkaq, procedura për tërheqjen e barnave me një firmë dhe kërkesë të pacientit apo familjarit të tij, vazhdon të jetë e praktikueshme. Por jo vetëm kaq, për shkak të problemeve të menaxhimit, drejtoria spitalore vazhdon kontrollet e të gjithë atyre që kalojnë në duar barnat me vulën spitalore. Procedurat tenderiale, zgjasin në kohë që nga shpallja dhe afishimi i dokumentacionit për pjesëmarrësit në tender, deri në mbylljen e fazës konkurruese. Më pas, sipas procedurave ligjore, kërkohet pritja pas kalimit të një afati të caktuar kohor, deri në furnizimin me ilaçe.
PacientëtTë sëmurët e onkologjikut nuk janë vetëm pacientë nga Tirana apo rrethet e tjera të vendit, por edhe nga trevat si Maqedonia, Kosova e Mali i ZI. Të gjithë këta të sëmurë qëndrojnë në shtëpi me qira në kryeqytet për të marrë trajtimin e nevojshëm, apo për të pritur mbërritjen e medikamenteve të tenderuara nga administrata spitalore. Këta pacientë duhet të presin ilaçet, të marrin kombinime barnash, në formën e terapisë zëvendësuese, ose nëse ua mban xhepi të porosisin jashtë ose të trajtohen në klinika private, të blejnë kura, të farmaci të cilat numërohen me gishta. “Të gjitha barnat spitalore do të mbërrijnë në fund të muajit gusht, një pjesë e tyre ka mbërritur barna të tjera vijnë dita-ditës. Përfundimisht, ilaçet e tenderuara, furnizimi i madh vjen në fund të stinës”, sqaroi zyrtarisht administrata e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Sakaq, shërbimi i onkologjikut, pavijonit ku trajtohen të sëmurët me kancer, që për vite me radhë ka qenë pjesë e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” do të jetë i ndarë nga struktura spitalore. Administrimi i tij do të jetë në varësi të qendrës spitalore ose të Ministrisë së Shëndetësisë. Bordi i sëmundjeve tumorale, i ngritur enkas për të shqyrtuar mundësinë e përmirësimit të prevalencës së sëmundjeve tumorale në vendin tonë, është në diskutime e sipër për ndarjen përfundimisht të onkologjikut nga qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”.
Kështu, pas ndarjes nga spitali, ky shërbim do të fuqizohet më tej, duke u fokusuar jo vetëm te trajtimi i pacientëve me sëmundje kanceroze, por edhe duke eksploruar më shumë në kërkimin shkencor.
#