Onufri 2009 ngjall kureshtjen e publikut
Onufrika ngjallur kureshtjen e vizitorëve , të cilët nuk kanë munguar këto ditë janari në sallat e GKA. Në këtë konkurs të arteve pamore nuk përfaqësohet vetëm piktura, por edhe mediumet e tjera si fotografia dhe videoinstalacionet. Kurator i këtij edicioni është Parid Teferiçi, poet, piktor, njohës dhe ndjekës i vëmendshëm i zhvillimeve të artit. Kuratori Parid Teferiçi ka ndërtuar një ekspozitë pa temë, duke kërkuar ndryshimin në pikëpamjen mbi këtë
konkurs të arteve pamore, që jo pak herë ka rënë edhe në klishenë e ilustrimit dhe të paracaktimit teorik të produktit artistik pamor të vendit. Kjo ekspozitë është një hulumtim i hollësishëm i skenës (apo siç thotë vetë kuratori Teferiçi edhe i prapaskenës ) së arteve pamore në vend. Me pjesëmarrjen e artistëve të brezave dhe qëndrimeve të ndryshme artistike Dëshmi dhe Dëshira reflekton produktin artistik real të një skene sa problematike aq edhe produktive, që tenton pjekjen dhe rritjen cilësore përmes luhatjeve dhe zhvillimit komunikues të një gjuhe shprehëse në kushtet e transformimit të vazhdueshëm. Këtë vit ai është i gjithi shqiptar, me pjesëmarrjen e 31 artistëve.