E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP: Nuk ka ndotje uji në zonat e përmbytura

Uji në zonat e përmbytura në qarqet e Shkodrës dhe të Lezhës nuk është i ndotur, sipas Institutit të Shëndetit Publik. Pas analizave të kryera mbi kampionet e mbledhura nga ekspertë të ISHP-së, rezultoi se uji ishte në gjendje optimale e si pasojë nuk ka rrezik të rritjes së sëmundshmërisë prej tij. Kjo u bë e ditur dje nga drejtori i Institutit të Shëndetit Publik Alban Ylli. Ndotja e ujit në këto zona ishte edhe frika më e madhe e specialistëve të shëndetësisë,

pasi kjo do të sillte përkeqësim të situatës dhe rritje të rrezikshmërisë epidemiologjike në veri të vendit. Ndërkaq, burime nga ISHP-ja bëjnë të ditur se grupet e specialistëve të dërguara në terren do të qëndrojnë aty deri në përfundimin e situatës së emergjencës civile që ndodhen këto zona. Menjëherë, Instituti i Shëndetit Publik ka dhënë urdhër për lëshimin e ujit të pijshëm në komunat e përmbytura, pasi është parë se nuk ka rrezik për përhapje sëmundjesh prej tij. Ndërkohë, analizat për gjendjen e ujit do të vijojnë të kryhen në mënyrë të vazhdueshme gjatë ditëve në vijim, për të shmangur çdo lloj mundësie të sëmurjes së qytetarëve si pasojë e ujit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›