E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opeli prezanton “Ampera”-n



Automjeti i parë i Opelit, i quajtur “Ampera”, është prezantuar në panairin e Gjenevës pas shfaqjes së fotografive, të cilat impresionuan të pasionuarit pas risive teknologjike. “Ampera” në fakt është “Chevrolet Volt” me maskë të përparme të ridizajnuar. Bëhet fjalë për automjetin që në “General Motors” e quajnë “E-REV”, respektivisht automjet elektrik me autonomi të zgjatur. “Ampera” niset nga 220 qeli litium-jon, të cilat elektromotorit i mundësojnë zhvillimin e 120 kuajve fuqi dhe moment rrotullimi prej 370 Nm. Me bateri të mbushura, “Ampera” është në gjendje të kalojë 60 kilometra, kur në aksion futet motori standard 1.4 litërsh benzinë me katër cilindra dhe djegie të brendshme, i cili me punën e tij sërish mbush baterinë, respektivisht indirekt elektromotorin, dhe një rezervuar karburant mundëson autonomi prej 500 kilometrash shtesë. Nuk dihet se kur “Ampera” do të paraqitet në prodhim serik në Europë, megjithatë me këtë të dhënë “General Motors” mund të befasojë këdo.

“Retriever” që laptopët e vjedhur të bërtasin

Kompania “Front Door Software” ka prezantuar një përpunim softuerik me emrin “Retriever” për të luftuar vjedhjen e laptopve. Nëse hajduti fut fjalëkalimin e gabuar, laptopi do të fillojë “të bërtasë” me të madhe se është vjedhur. Për më tepër, çdo 30 sekonda në ekranin e tij do të shkruhet “laptop i vjedhur”, së bashku me informacionet për pronarin e tij (mesazhi mund të personalizohet nëse njeh kodin). Pas hapjes së kompjuterit, softueri automatikisht do të fillojë kërkimin për rrjetet Wi-Fi në mënyrë që prodhuesit të mund t’i dërgojnë të dhënat për lokacionin e laptopit. Pronari në këtë mënyrë do të mund të vëzhgojë lëvizjen e kompjuterit të tij dhe të lajmërojë policinë. Sipas statistikave të “Front Door Software”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një në dhjetë laptopë vidhet ose humbet. Me instalimin e softuerit “Retriever” gjasat që pronarët të gjejnë laptopët e tyre do të rriten në 97 për qind, pohon prodhuesi.

Shtyhet prezantimi i celularit “Palm Pre”

Kompania “Palm” raportohet se ka shtyrë prezantimin e telefonit të quajtur “Pre”. Ishte menduar që “Pre” të ishte gati për treg në mesin e këtij muaji, gjë që do të jetë shumë e vështirë nëse informacionet e fundit dëshmohen të janë të sakta. Vetë kompania ka refuzuar të komentojë thashethemet dhe e vetmja gjë që përsërisin prej kohësh është se zhvillimi i celularit po ecën sipas planit. “Palm Pre” është një telefon i mençur (smartphone) rrëshqitës i pajisur me ekran prej 3.1 inçësh të ndjeshëm në prekje (320 x 480 pikselsa), me tastierë të plotë, kamerë prej tri megapikselash, 8GB hapësirë të dhënave, mbështetje për MMS, konektorin prej 3.5 milimetrash për dëgjues, Bluetooth, GPS, mbështetje për HSDPA, qasje microUSB, sensor i cili ndal dritën e pajisjes kur mbështetet në vesh dhe sensorë të tjerë që rrisin ndriçimin e pajisjes së ekranit në kushtet e ndriçimit të dobët, mundësi multimediale dhe shumë shtojca të tjera interesante.

7 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›