“Volkswagen Polo” i ri, koncepti i sigurisë
Prodhuesi gjerman, “Volkswagen”, në panairin e automjeteve të Gjenevës ka paraqitur modelin “Polo” të ri. “Volkswagen Polo” i ri do të fillojë të prodhohet në fund të muajit mars, ndërsa njësitë e para do të shiten gjatë muajit qershor të këtij viti. Ai do të jetë në dispozicion me shtatë motorë, me fuqi 60 deri në 105 kuaj fuqi, prej të cilëve pesë janë tërësisht të rinj apo përdoren për herë të parë në këtë model. Në mesin e motorëve më interesantë janë 1.2-litërshi me turbo-benzinë dhe 105 KF dhe shpenzimin e premtuar prej 5.5 litrash në 100 kilometra, si dhe 1.6 TDI, me 90 KF, me shpenzim prej vetëm 3.8 litrash në 100 kilometra, së bashku me paketën Blue Motion. Në ofertë, së bashku me motorët e caktuar, do të gjendet edhe marshi DSG, me shtatë shpejtësi. Gjermanët pohojnë se siguria në masë të madhe është avancuar në krahasim me paraardhësit e tij, nga e cila “Polo” i ri është më i lehtë në mesatare prej 7.5 për qind, varësisht nga versioni.
“Abarth Coupe” do të jetë gati në vitin 2010
Është pritur me shumë kureshtje automjeti “Abarth Coupe” dhe sipas të gjitha parashikimeve, do të prezantohet në sallonet e shitjeve në fund të vitit 2010, ose maksimumi në fillim të vitit 2011. Automjeti sportiv me dy ulëse do të vendoset në platformën e Fiatit 500, ndërsa dizajnimi i është lënë Abarthit. Nën kapakun e motorit do të gjenden dy lloj motorësh; 1.4 litërshi turbo me 135 kuaj fuqi në versionin standard dhe ai më i fuqishëm, Coupe Abarth, do të ketë në dispozicion 158 KF. Kur merret parasysh masa e vogël e automjetit, përshpejtimi do të jetë për t’u respektuar, kështu që “Coupe” me motor më të vogël deri në 100 km/h do të arrijë për tetë sekonda dhe ai më i fuqishmi për shtatë. Çmimi për modelin standard mendohet se do të jetë rreth 12 800 euro.
7 Mars 2009