Merrill Lynch: Nafta nën 25 dollarë/fuçia për 2009-ën
Banka amerikane publikon një kërkim, ku thuhet se kërkesa globale do të bjerë për vitin tjetër
Çmimet e naftës kanë gjasa të vazhdojnë të ulen gjatë vitit të ardhshëm dhe mund të arrijnë në 25 dollarë për fuçi, përpara se të nisë sërish rritja e çmimeve. Kështu deklaron banka amerikane Merrill Lynch, në njëkërkim të publikuar para pak ditësh, duke treguar se çmimi i naftës duhet të nisë të marrë veten, vetëm pas gjysmës së dytë të vitit të ardhshëm. “Me uljen e kërkesës në të gjithë rajonet e mëdha të konsumit çmimi i naftës bruto do të vazhdojë rënien. Në një afat të shkurtër, aktorët e tregut do të përqendrohen si tek prodhuesit e OPEC, ashtu edhe te ata prodhues që nuk janë anëtarë të organizatës, si reagim për të balancuar tregun”, thuhet në kërkim. Sipas kërkimit të Merrill Lynch, një rënie e përkohshme nën 25 dollarë për fuçi e çmimit të naftës është e mundur, nëse recesioni global prek edhe Kinën dhe nëse kërkohet rënie e theksuar e prodhimit nga vendet jo anëtare të OPEC-ut. “Në pikëpamjen tonë, çmimi i naftës mund të arrijë pikën më të ulët në fund të 3-mujorit të I-ë, ose në fillim të 3-mujorit të II-të të 2009-ës me një rënie të theksuar të kërkesës për të. Më pas, me forcimin e aktiviteteve ekonomike, do të ketë një rritje modeste të çmimit në gjysmën e dytë të këtij viti”, citon kërkimi i Merryl Lynch. Sipas saj, më 1 tetor banka uli parashikimin e çmimit në 90$/fuçia për 2009-ën, bazuar në një parashikim për rritjen me 3 për qind të GDP-së botërore. Që atëherë, ekonomistët e Merrill Lynch kane riparë parashikimet për rritjen globale të GDP-së në 1.3%, një skenar i qëndrueshëm me recesionin global. “Në periudhën afatshkurtër, rritja e kërkesës botërore për naftë do të pësojë një tronditje tjetër, pasi bankat vazhdojnë të ulin kreditimin për kompanitë dhe konsumatorët. Ne tani presim një tkurrje të menjëhershme në kërkesën botërore për naftë për vitin 2009”,- përfundon kërkimi i Merrill Lynch.
Studimi
Një studim i bërë nga konfindustria Shqiptare, publikuar javën e shkuar tregonte se niveli i çmimeve të naftës i sjell një kosto shtesë prej 120 milionë eurosh ekonomisë shqiptare. Kjo kosto sipas saj vjen nga mungesa e reflektimit të uljes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, në tregun shqiptar të pakicës, si dhe të cilësisë së dobët të karburanteve, që ndikojnë direkt në automjetet dhe teknologjitë që përdor industria shqiptare.