HEC-et mbi Drin arrijnë kuotat maksimale
Situatë e favorshme hidrike
Komani dhe Vau i Dejës, në kuotat maksimale, vetëm pak centimetra larg kritikes. Fierza në ngjitje, ku arrin në kuotën e 276.70 metrave
Specialistët: “Në Koman dhe Vaun e Dejës luftuam për një centimetër lartësi, duke rrezikuar edhe kur kuota arriti rreth 176 metra”
KUKËS- Situatë mjaft e favorshme hidrike në liqenet e kaskadës së lumit Drin, ku Komani dhe Vau i Dejës janë në kuotat maksimale me tendencë zbritjen, ndërkohë që Fierza ka njohur rritje të ndjeshme, pasi që pas fillimit të reshjeve, portat e këtij HEC-i vazhdojnë të jenë të mbyllura. Burime nga dispeçeritë e HEC-eve të kaskadës së Drinit, bëjnë të ditur se gjatë ditës së djeshme, prurjet anësore në HEC-in e Komanit kanë qenë rreth 400 metër kub ujë në sekondë, ndërkohë që kuota e liqenit e këtij hidrocentrali është 175.90 metër, nga 176 metër që është kuota maksimale, ku tendenca është në ulje. Edhe në liqenin e HEC-it të Vaut të Dejës, kuotat janë maksimale, ku gjatë ditës së diel, niveli në Liqenin e Vaut të Dejës ka regjistruar 75.40 metra, nga 76 metra që është kuota maksimale. Ndërkohë që, në Fierzë, më i madhi në liqenet e kaskadës së Drinit, prurjet gjatë ditës së diel shënuan 432 metër kub ujë në sekondë, ku niveli ka arritur në 276.70 metra, nga 296 metra që është kuota maksimale. Që nga fillimi i reshjeve në fillim të këtij muaji, portat e Hidrocentralit të Fierzës vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe në këtë hidrocentral nuk prodhohet asnjë kilovator energji elektrike.
Prodhimi
Burime të dispeçerive të HEC-eve Koman dhe Vau i Dejës, bëjnë të ditur se këto dy hidrocentrale punojnë me kapacitet të plotë përgjatë 24 orëve. Në Hidrocentralin e Komanit vazhdojnë të jenë në punë katër agregatë, të cilët nuk prodhojnë me kapacitetet maksimale, por secili prej tyre prodhon me një fuqi prej 85 mega, ndërkohë që fuqia e instaluar e një agregati është 125 mega. Në bazë të përllogaritjeve, në Hidrocentralin e Komanit prodhohen 340 megavat/orë energji elektrike. Ndërkohë, edhe HEC-i i Vaut të Dejës është në punë me kapacitet të plotë. Pesë agregatët e instaluar të këtij hidrocentrali, prodhojnë energji elektrike me 50 megavat orë secili. Njeri prej specialistëve të HEC-it të Komanit në ketë hidrocentral, tha se, pavarësisht prurjeve të shumta, nuk janë hapur në asnjë moment portat, me gjithë gatishmërinë për hapjen e tyre, ku niveli i ujit po shkonte drejt kuotave maksimale. “Në Koman dhe Vaun e Dejës luftuam për një centimetër lartësi, duke rrezikuar edhe kur kuota arriti rreth 176 metra”, - sqaron specialisti.
- Në Hidrocentralin e Vaut të Dejës prodhohen aktualisht 250 megavat/orë energji elektrike
- Në Hidrocentralin e Komanit prodhohen 340 megavat/orë energji elektrike
-Dy tunelet kanë kapacitet shkarkimit të ujit, vetëm 3000 metër kub ujë në sekondë
Prurjet rrezikojnë HEC-in e Fierzës dhe Shkodrën
Fryrja e Komanit në 176.50 m, rrezikon përmbytjen e HEC-it të Fierzës. Përmbytja e fundit, më 1994-n
Vau i Dejës është vetëm 60 cm larg kuotës maksimale. Ekspertët po punojnë për evitimin e përmbytjeve
Specialistët e HEC-eve sqarojnë se rritja e Liqenit të Komanit mbi kuotën e caktuar prej 176 metrash, përmbyt Hidrocentralin e Fierzës, ku salla e makinerive të këtij hidrocentrali është poshtë digës, ose më saktë, në kuotën e 176.50 metrave. Në vitin 1994, kujtojnë specialistët, si pasojë e fryrjes përtej kuotës së përcaktuar e Liqenit të Komanit, është përmbytur salla e makinerive e HEC-it të Fierzës. Por, e njëjta gjë nuk mund të ndodhë me fryrjen e Liqenit të Vaut të Dejës, ku rritja e kuotës së këtij liqeni përtej parametrave të përcaktuar, shkakton përmbytje në zonën e Shkodrës. Ndërkohë që, për HEC-in e Fierzës, i cili ka një kapacitet maksimal prej 3.2 miliardë metër kub ujë, rregulloret janë edhe më strikte, për sa i përket rritjes së shpejtë të nivelit të ujërave. “Në momente prurjesh të mëdha, rregullorja për funksionimin e HEC-it të Fierzës, thotë që niveli i ujërave në basen duhet të jetë katër metër poshtë nivelit maksimal, por, kjo rregullore nuk është zbatuar në të shumtën e rasteve”, - shprehet njëri prej specialistëve më veteranë të HEC-it Fierzë. Sipas specialistit, ka vite që nuk bëhet monitorimi i digës së Hidrocentralit të Fierzës, pasi mungojnë pajisjet e monitorimit, megjithëse brenda digës ekzistojnë puset, ku mund të hyjnë sondat e monitorimit. Megjithatë, specialisti garanton se nuk ka ndonjë vend për panik, pasi vetë konstrukti i ndërtimit të digës së HEC-it Fierzë, është i tillë që nuk mund të ketë çarje. Diga e Hidrocentralit të Fierzës përbëhet prej 9 tunelesh. Katër tunele janë për furnizimin me ujë të turbinave, ndërkohë që tre tunele janë për shkarkimin e tepërt të ujërave. Ndërkohë që, dy janë tunelet e devijimit të Lumit Drin, që tashmë janë përfundimisht të mbyllura, pasi ato u përdorën në kohën e ndërtimit të këtij hidrocentrali. Sipas specialistit të këtij hidrocentrali, tuneli numër tre nuk është hapur asnjëherë. Ai uron që ky tunel të mos hapet, pasi hapja e tre tuneleve të shkarkimit do të shkaktonte ndonjë katastrofë për zonën rreth hidrocentralit e më gjerë.
Përmbytjet
Specialistët e Hidrocentralit të Fierzës kanë regjistruar vitin 1985 si vitin më të vështirë, jo për shkak të thatësirës, por për arsye të prurjeve të shumta në këtë hidrocentral. Inxhinieri veteran i këtij hidrocentrali, i cili punon aty që me ndërtimin e tij në vitin 1980, thotë se në pranverën e vitit 1985, diga e HEC-it të Fierzës ka qenë e rrezikuar seriozisht, ku prurjet në pranverën e atij viti, si pasojë e shkrirjes së dëborës së madhe që ra gjatë dimrit të atij viti, ku arriti deri në 3 metër trashësi, kanë regjistruar deri në 6000 metër kub ujë në sekondë, ndërkohë që kapaciteti i shkarkimit të tuneleve, së bashku me turbinat, kishin një kapacitet shkarkimi vetëm sa gjysma e prurjeve, pra 3000 metër kub ujë në sekondë. “Ishte pranvera e vitit 1985, kur diga e Hidrocentralit të Fierzës është rrezikuar seriozisht nga prurjet e shumta të pranverës së atij viti. I gjithë personeli i hidrocentralit, në atë kohë ishte në gatishmëri gjatë 24 orëve. Niveli i ujërave në digë kishte arritur rreth 40 centimetër mbi kuotën e lejuar, ndërkohë që si pasojë e prurjeve, ky nivel vazhdonte të rritej 20 centimetër në orë. Provuam të hapnin tunelin numër tre, por nuk arritëm. Që me ndërtimin e këtij hidrocentrali, tuneli numër tre nuk është hapur asnjëherë. Ishte fat i madh që ranë prurjet, se as vetë nuk e dinim se çfarë do të kishte ndodhur, ose më saktë do të kishte ndodhur katastrofa”, - kujton specialisti veteran i HEC-it Fierzë.
Tunelet e shkarkimit
Në hidrocentralin e Fierzës ekzistojnë 9 tunele, tre prej të cilëve janë për shkarkimin e ujërave të tepërt, dy janë tunelet e devijimit të Lumit Drin, që janë përdorur në kohën e ndërtimit të hidrocentralit dhe katër janë për furnizimin e turbinave me ujë. Specialistët e HEC-it në Fierzë, sqarojnë se kapaciteti i shkarkimit të tunelit nr. 4 është 800 metër kub ujë në sekondë, ndërsa kapaciteti i shkarkimit të tunelit nr. 2 është 1800 metër kub ujë në sekondë. Ndërkohë që, katër tunelet që përdoren për furnizimin me ujë të turbinave që prodhojnë energji elektrike, është 100 metër kub ujë në sekondë për secilin. Tuneli i shkarkimit me numër tre në Hidrocentralin e Fierzës nuk është hapur asnjëherë që nga ndërtimi i këtij hidrocentrali. Hapja e këtij tuneli, sipas specialistëve të këtij hidrocentrali, do të shkaktonte përmbytje të zonave përreth, ndërkohë që presioni i shkarkimit mund të shkaktonte edhe dëme të tjera.
Liqeni i Fierzës
Liqeni i Fierzës, krijuar në vitin 1980, si rezultat i ndërtimit të hidrocentralit me të njëjtin emër, më i madhi në Shqipëri,ka një bosht gjatësor prej 70 kilometrash dhe lag, kryesisht, territoret e Kukësit, Hasit, një pjesë të vogël të territoreve të Pukës dhe një pjesë të papërfillshëm në Tropojë. Ai zë një sipërfaqe prej 70 mijë hektarësh, ku 1600 ha kanë qenë tokë buke në pronësi të 5800 familjeve nga Kukësi e Hasi. Kapaciteti maksimal ujëmbajtës i Liqenit të Fierzës arrin në rreth 3,2 miliardë metër kub ujë, ndërkohë që kapaciteti minimal, i cili mund të shkaktojë edhe situatata më kritike të prodhimit të energjisë elektrike, është rreth 1,2 miliardë metër kub ujë.
Hidrocentrali i Fierzës
Hidrocentrali i Fierzës, më i madhi në vend, në tetor 2008 mbushi 30 vjet punë, kur në ‘78-n nisi prodhimin turbina e parë. Ndërtuar me pajisje të ardhura nga Kina, por i konceptuar 100% nga inxhinierët shqiptarë, hidrocentrali që shtrihet mbi Lumin Drin, ka shërbyer si burim kryesor në prodhimin e energjisë elektrike, madje, në disa raste, duke furnizuar edhe vendet fqinje. I parafundit ndër hidrocentralet e ndërtuar nga sistemi komunist, Fierza ka një kapacitet prodhimi prej 500 megavat (MW), ndër më të mëdhenjtë në Ballkan. Të gjitha objektet dhe nënobjektet e kësaj vepre janë projektuar nga inxhinierë shqiptarë dhe janë ndërtuar nga ndërtuesit shqiptarë. Me punën e saj, kjo vepër e ka shlyer veten në vitin 1981, me tre vite punë dhe, që nga ai vit e në vijueshmëri, punon për nevojat ekomomike të vendit.