E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opera për tre grosh

Nga Mehmet Kraja

Drama e njohur muzikore e Bertolt Brehtit, njëra nga veprat më të spikatura të këtij autori, “Opera për tre grosh”, duke vendosur në qendër të rrëfimit skenik një grumbull hajnash, kurvash, policësh dhe kriminelësh të vegjël, shtron një pyetje themelore: Kush është më hajn në shoqëri, ta zëmë, ai që e vjedh bankën, apo ai që e themelon bankën? Rreth dhjetë mijë shfaqjet e vendosura në skenë me këtë tekst të Brehtit, që nga viti 1928, nuk e kanë zgjidhur dilemën, sepse ajo është e futur thellë dhe qëndron në natyrën e një shoqërie me sistem të çrregulluar vlerash.

Tani ta lëmë Brehtin në amshimin e tij dhe t’i kthehemi një situate tjetër imagjinare. Mund ta përfytyroni një qytetar të Danimarkës, të Finlandës ose Irlandës, i cili zgjohet në njërin nga këto mëngjeset e vjeshtës dhe në një nga ato faqet e gazetës, ku flitet për krizën financiare të përmasave globale, diku në cepin e poshtëm, lexon edhe lajmin se Olli Rehn, komisari për Zgjerim i BE, i solli Kosovës donacionin prej 122 milionë eurosh, të cilat nuk do mend se janë kontribut i taksapaguesve të vendeve të Bashkimit Evropian, sepse, sikundër që më në fund e kemi marrë vesh edhe ne, paratë në asnjë rrethanë nuk pikin nga qielli. Nuk arrij ta përfytyroj dot, nëse nga ky lajm qytetarit të supozuar të Danimarkës, Finlandës ose Irlandës do t’i ndritë apo do t’i ngryset fytyra, por e di saktësisht se, kur të kalojë në faqen e kulturës të po asaj gazete të supozuar dhe atje, ta zëmë, të gjejë lajmin se Kosova do të ndërtojë godinën e operës në vlerë prej 20 milionë eurosh, jo vetëm që do të tharbet në fytyrë, por do të xhindoset fare. Edhe më keq do të qëndrojë situata, nëse qytetari i supozuar i këtyre vendeve nuk është as i Kopenhagës, Helsinkit apo Dublinit, ku çështjet e godinave të operave janë zgjidhur që moti, por i ndonjë qyteti të “sërës” së dytë, siç është Gjakova ose Ferizaj te ne, por që atje, në atë botën e magjishme të mirëqenies dhe të pasjes, pretendon të ndërtojë një godinë modeste të operës, me një vlerë, bie fjala, prej dhjetë milionë eurosh, që domethënë sa gjysma e projektit të operës sonë. Tani, ai qytetari i supozuar i Danimarkës, Finlandës ose Irlandës do trenohet krejt, do ta braktisë për një çast edukatën e tij dhe do të na shajë me nanë e me babë, me soj e sorollop dhe, njëkohësisht, do të betohet se nuk do t’ia japë më votën partisë që është në pushtet dhe që ndjek politika të këtilla të ndihmës shpirtgjerë dhe të donacioneve dorëlira për Kosovën.

Tani, nga ky realitet i mundshëm dhe i supozuar, kalojmë në realitetin tonë abuziv dhe jashtëzakonisht kontrovers. Kur u mor vendimi që të themelohet Opera e Kosovës (në kuadër të Filarmonisë, ose diçka e tillë), nuk ishin të paktë ata që thanë, përfshirë edhe profesionistët e fushës, se hapat për bërjen e një institucioni të këtillë shkojnë pak më ndryshe: së pari bëhet kuadri dhe pastaj institucioni. Që atëherë kanë kaluar shtatë-tetë vjet dhe Opera e Kosovës është e tillë siç ka qenë në ditët e para të saj. Nuk ka kuadër, nuk ka solistë, nuk ka instrumentistë.

Mos e dhëntë Zoti, që ndonjë titullari të lartë të pushtetit t’i bjerë ndër mend të marrë “vendim politik”, se në Kosovën shtet sovran dhe të pavarur duhet bërë një shfaqje opere, sepse atëherë drejtorit të Filarmonisë do t’i duhej të gjezdisej një muaj nëpër rajon, për të gjetur aq njerëz sa i duhen për një realizim të tillë, që nga Shkupi e deri në Sofje, që nga Sofja e deri në Tiranë. Por, sikur bërësve të politikave kulturore te ne të mos ua pinte sorra trutë dhe t’iu shkonte mendja që paratë e shpenzuara për dy inskenime operash dhe për projektin ideor të objektit madhështor të Operës së Kosovës të investoheshin në ngritjen dhe specializimin kuadrit, çfarë rezultati do të kishim tani? Do t’i kishim, së paku, dy-tri gjenerata të shkolluara nga kjo fushë dhe një duzinë specializimesh në qendra të afërta dhe të largëta të botës së muzikës. Mirëpo, sikundër mund të shihet tani, mentaliteti abuziv nuk lejoi që të veprohej kështu, sepse specializimi i kuadrit nuk krijon mundësi për malverzime financiare, gjë që, siç mund të vërehet, ka qenë dhe vazhdon të jetë shtytësi madhor i të gjithave politikave, përfshirë edhe ato kulturore.

Tani situata paraqitet paradoksale dhe cinike. Kur u iniciua projekti njëzet milionësh i “shtëpisë së operës”, shumica e njerëzve menduan se kemi të bëjmë me “çilimillëqet” e një ministri të papërgjegjshëm dhe ndryshimet politike që ndodhën në vend, krijuan shkas për supozime të tjera. Tani doli se ideja e “shtëpisë së operës” njëzet milionëshe jo që nuk është braktisur, por mund të ndodhë së shpejti edhe vënia e gurit të themelit. Madje, më sa është folur më herët, njerëzit tanë të kulturës e kanë çuar këtë projekt edhe në Konferencën e Donatorëve, verën e shkuar, dhe janë kthyer që andej gjithsesi me gisht në gojë, por pa u skuqur në fytyrë.

Dhe, tani, mund të ndodhë që guri i themelit të vihet njëmend, sepse mentaliteti abuziv insiston në këtë gomarllëk dhe nuk e sheh si prioritet bërjen e një salle universale, për të cilën Prishtina ka nevojë si për bukën e gojës, por një “shtëpi opere” megalomane, për të cilën do të na qeshte bota mbarë. Vetëm një dilemë mbetet: Në projektin e godinës së operës thuhet se qenkësh paraparë edhe pista e helikopterëve (jo, jo, nuk është shaka!), e cila, sipas ideve të përhënta të dikujt-dikur, duhej të shërbente të sillte, bie fjala, Pavarotin me helikopter nga Sllatina në Prishtinë. Por ata që ende shohin ëndrra të tilla, çfarë do të bëjnë që Pavaroti ka vdekur dhe, tashmë, ka filluar të harrohet?

“Përkthejeni” tani si të doni idenë e “Operës për tre grosh” të Bertolt Brehtit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›