Prokuroria: Policia mundësoi largimin e Fazlliçit një orë para afatit
Ardhja e Damir Fazlliç në Shqipëri dhe kërkesa për arrestimin e tij ka nxitur një sulm të paprecedent të ekzekutivit mbi prokurorinë. Nga ana e saj, Prokuroria e Përgjithshme akuzon ekzekutivin se ka lejuar qëllimisht largimin e trafikantit Fazlliç nga vendi, një orë përpara afatit të parashikuar për nisjen e tij. Nga ana e saj, Ministria e Brendshme ka pretenduar të kundërtën, duke kërkuar madje në mënyrë paksa të çuditshme dhe ndjekje penale për dy prokurorët e dosjes ‘Fazlliç’, pasi, sipas saj, kanë shkelur procedurat në kërkesën që i kanë drejtuar Ministrisë së Brendshme. Në këtë lojë është futur dhe Ministria e Drejtësisë, e cila pa asnjë paralajmërim ka dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme inspektorët e saj për të parë orën në të cilën ka dalë kërkesa, por edhe dosjen në ngarkim të Fazlliç, duke shkelur ligjin, pasi inspektorët e drejtësisë kanë të drejtë të shohin vetëm dosjet e përfunduara, por jo ato që janë në hetim. Duket se targeti i sulmeve të tanishme të ekzekutivit është prokuroria, kryetaren e së cilës vetë kryeministri e cilësoi si “Silvia Konti e drejtësisë”, por që tashmë nuk po pajtohet me veprimet e saj për vendosjen e drejtësisë.
Procedura
Me anë të një njoftimi për shtyp, prokuroria ka bërë të qartë se s’ka shkelur asnjë ligj dhe asnjë procedurë, pasi Damir Fazlliç akuzohej për “pastrim të produkteve penale” e thënë më saktë, pastrim parash që vijnë nga veprimtari të dyshimta. Sipas deklaratës së bërë nga ana e prokurorisë, më datë 8 të këtij muaji, prokuroria është vënë në dijeni të ardhjes së Fazlliç në Shqipëri, ndërkohë që hetimet ndaj tij kanë nisur më datë 7 tetor, pas denoncimeve të njëpasnjëshme në mediet e ndryshme. “Duke qenë në vazhdim të veprimeve hetimore, në datën 8.10. 2008, rreth orës 12.30, Prokuroria e Tiranës është vënë në dijeni se z. Damir Fazlliç ndodhej në Tiranë duke dhënë intervistë për një media televizive.
Prokurorët e çështjes, pasi analizuan të dhënat që rezultonin deri në këtë kohë, vendosën në bazë të nenit 308 të Kodit të Procedurës Penale t’i bëjnë ftesë për paraqitje z. Damir Fazlliç, për të dhënë shpjegime rreth fakteve që i atribuoheshin këtij shtetasi në lidhje me veprën penale parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal”, - thuhet në deklaratën e prokurorisë. Por, nga ana tjetër, deklarata zbardh edhe një pjesë tjetër, e cila tregon se si është vënë shteti në dispozicion të një trafikanti. Sipas prokurorisë, nisja e Fazlliç ishte parashikuar në orën 16.30 minuta, dhe në policinë e aeroportit është depozituar kërkesa që në orën 15.06 minuta. Kjo, pasi prokurorët nuk kishin mundur të kontaktonin me drejtorin e komisariatit të Rinasit, me gjithë përpjekjet e tyre, por njëkohësisht dhe se Damir Fazlliç u nis nga aeroporti një orë më parë se orari i parashikuar për fluturimin e tij. Nga ana tjetër, Rama sqaron se nuk është nxjerrë urdhër-ndalimi për Fazlliç, por vetëm ftesë për të deponuar rreth akuzave që i janë bërë në shtypin e përditshëm. “Nisur nga fakti se oficeri i policisë nuk kish mundur të kontaktonte me shefin e Komisariatit të Policisë së Rinasit për t’i komunikuar ftesën, dhe duke marrë shkas se z. Damir Fazlliç ishte nisur nga Tirana për në Rinas rreth orës 14.30, prokurorët komunikuan nëpërmjet telefonit me drejtuesin e Policisë Kufitare të Rinasit dhe shefin e komisariatit për t’i bërë me dije ftesën dhe përmbajtjen e saj, të depozituar tashmë pranë zyrës së Komisariatit të Policisë, Rinas. Ky lloj komunikimi verbal parashikohet nga nenet 308, pika 4, dhe 134, pika 3 të Kodit të Procedurës Penale
Me gjithë përpjekjet e oficerëve dhe prokurorëve për t’i komunikuar ftesën për paraqitje z. Damir Fazlliç, kjo nuk u bë e mundur, për shkak se ai u largua nga aeroporti 1 (një) orë përpara se sa ishte planifikuar largimi i tij. Prokuroria po heton zbatimin e procedurave ligjore të policisë në shoqërimin e z. Fazlliç. Sqarojmë opinionin publik se nga organi i prokurorisë nuk është nxjerrë urdhër-ndalimi për z. Damir Fazlliç, por vetëm ftesë për paraqitje për të dhënë deklarime pranë organit të prokurorisë”, - thuhet në deklaratën e prokurorisë. Ndërkohë, sipas burimeve të gazetës mësohet se ikja e Fazlliç është bërë me urgjencë, menjëherë sapo ka marrë vesh për ftesën e prokurorisë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se Fazlliç, kishte prenotuar një dhomë për tri ditë në hotel “Sheraton”, vizitë e cila u reduktua në tri orë
Ministria
Ndërkohë, duket se në lojën e sulmit ndaj prokurorisë ka hyrë dhe Ministria e Drejtësisë, e cila ka shpejtuar të dërgojë atje inspektorët e saj për të verifikuar sipas saj “fillimin e procedurave penale, nga data 1.09.2008. deri më datë 10.09.2008”. Burime nga prokuroria sqarojnë se inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë ardhur në mënyrë të papritur me një urdhër në dorë të lëshuar nga Alibeaj. Prokuroria sqaron se Ministria e Drejtësisë për urdhrin e lëshuar nga Alibeaj do të ketë një përgjigje zyrtare, duke i bërë ftesë agjencive të shtetit të lënë mënjanë frymën e konflikteve dhe të bashkëpunojnë për vënien e drejtësisë në këtë vend