E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacionet, më shumë nga rrethet, se nga Tirana

Publikohet analiza vjetore e qendrës spitalore universitare, “Nënë Tereza”

Puna e një viti nga gjithë stafi i mjekëve të cilët punojnë në shërbimet e spitalit më të madh në vend, ka kaluar në “sitë” këto dy javët e fundit. I gjithë ky bilanc, shtuar këtu të gjitha të dhënat e mbajtura shënim, prioritetet dhe risitë për vitin e ri, janë referuar në një analizë të gjatë nga kreu i Qendrës Spitalore universitare në Tiranë, Ilir Dashi.
Sipas tij, nga të dhënat e punës së kryer në 2009 duhet investuar dhe punuar më shumë për të arritur ato prioritete të vendosura në 2010-n.
Të dhënat
Brenda një viti ka pasur rreth 28 mijë pacientë të shtruar në Urgjencë, ndërkohë që në këtë repart janë bërë mbi 166 mijë konsulta. Rreth 1 për qind e pacientëve kanë gjetur vdekjen në këtë shërbim. Brenda dhjetë muajve janë shtruar rreth 22 mijë raste të ardhura nga rrethet, ndërkohë që janë kryer mbi 7 mijë operacione. Sipas të dhënave, janë kryer mbi 6 mijë operacione vetëm nga banorët e Tiranës. Ashtu si dhe në vitet e kaluara, edhe këtë vit, duke përjashtuar disa “superkirurgji” të kryera nga stafe të limituara, e përgjithshmja e operacioneve që kryen kjo qendër terciare janë ndërhyrjet e thjeshta. Sipas analizës vjetore, janë kryer më shumë operacione të heqjes së perdes së syrit, apendicitit, apo heqjes së tumorit. Ndër 20 diagnozat më të shpeshta gjatë këtij viti janë: kanceri i gjirit, katarakti, gastroenteriti, diabetis mellitus, apendiciti akut, kalkuloza biliare, bronkopneumonia, sem. isk. të zemrës, hernie inguinale, leukemia limfoide.
Brenda një viti janë kryer më tepër këto analiza imazherike: 20766 rontgenoskopi, 51336 rontgenografi, 28836 ekografi, 3062 CT, si dhe 2510 RM. Po ashtu janë kryer rreth 2052873 ekzaminime laboratorike.
Stafi
Në qendrën “Nënë Tereza” zhvillojnë aktivitet klinik, pedagogjik dhe shkencor 139 pedagogë të Fakultetit të Mjekësisë; formohen si mjekë specialistë 146 specializantë të Fakultetit të Mjekësisë; aktivizohen dhe 75 mjekë vullnetarë dhe 32 punonjës me kontratë.
Numri total i punonjësve është 2631, ndërkohë që të ardhurat dytësore përgjatë një viti kanë qenë 45894391 lekë.
Totali i detyrimeve ndaj të tretëve në QSUT është 642962441 lekë. Disa nga arritjet e qendrën spitalore “Nënë Tereza” përgjatë një viti u renditën: nisja e funksionimit të sistemit të referimit; administrimi i situatës së pandemisë së gripit AH1N1 dhe vënia në funksionim e reanimacionit në Infektiv dhe repartit të ri të Urgjencës; interventi i parë i transplantit të veshkave; vënia në funksionim e spitalit të rikonstruktuar pediatrik; si dhe përfundimi i punimeve të godinës dhe blerja e pajisjeve për spitalin e ri. Këto ishin disa arritje të vendosura dje në dukje gjatë analizës 1-vjeçare.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›