E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali, barnat falas në QSUT shiten nga farmacisti

Prokuroria fillon hetimin për ndihmësfarmacistin e repartit Onkologjik, Isnih Bajrami

Barnat që jepen falas në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë shiten nga farmacia e repartit Onkologjik. Ndihmësfarmacisti i repartit Onkologjik, Isnih Bajrami, është vënë nën akuzë për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, si dhe për shpërdorim detyre. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se 44-vjeçari dyshohet se duke shfrytëzuar gjendjen e të sëmurëve në repartin Onkologjik, nevojën ekstreme të tyre për t’u trajtuar me barna të ndryshme, ka nxjerrë përfitime, duke i dhënë barnat që jepen falas nga shteti në spital, kundrejt shumave të konsiderueshme të parave. “Ky shtetas, për të realizuar përfitimet e padrejta të të sëmurëve apo familjarëve të tyre, u paraqiste gjendjen e mungesës së barnave në farmacinë e spitalit dhe në këto rrethana u ofronte ndihmën e tij për t’ua gjetur dhe shitur me çmime të ndryshme”, thanë burimet nga prokuroria, të cilat saktësojnë se për të vërtetuar abuzimet e 44-vjeçarit dhe personave të tjerë, janë përdorur të gjitha mjetet e hetimit, nga përgjimi dhe vëzhgimi në terren.
Procedimi penal
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar në datën 8 maj 2008, mbi bazën e referimit të veprës nga shërbimet e policisë gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, procedimin penal nr.1601 të vitit 2008, në ngarkim të shtetasit Isnih Bajrami, akuzuar për “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas prokurorisë, Isnih Bajrami është në marrëdhënie pune pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, në repartin Onkologjik, me detyrën e ndihmësfarmacistit në farmacinë e këtij reparti. “Detyra funksionale e tij është shërbimi i medikamenteve si taxoter, zometa, herceptinë, mapter, avastinë, cisplatine, manitol etj., për të sëmurët në spitalin Onkologjik të Tiranës”, thanë burimet nga akuza. Sipas tyre, barnat për përdorim spitalor shpërndahen sipas udhëzimit numër 134, datë 10.07.2007 të Drejtorisë së qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” Tiranë. Për çdo dalje barnash nga farmacia duhet administruar receta mjekësore dhe i sëmuri ose i afërmi i tij duhet të shoqërohet nga kryeinfermierja e pavijonit ku është i shtruar i sëmuri. Pacienti ose i afërmi i tij i identifikuar me dokument identifikimi duhet të firmosë në recetë dhe të shkruajë se barnat “i tërhoqa pa pagesë”. Prokuroria thotë se 44-vjeçari, duke shfrytëzuar gjendjen e të sëmurëve, ka nxjerrë përfitime, pasi barnat që jepen falas nga shteti, i shiste kundrejt përfitimeve të paligjshme.
Hetimet
Gjithashtu, prokuroria dyshon se personi nën hetim, Isnih Bajrami, ka kryer edhe veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. “I hetuari dyshohet se ka mundësuar ndërrimin e barnave për përdorim spitalor të farmacisë shtetërore me barna nga depo farmaceutike private, të cilat ishin në kufijtë e skadencës. Konkretisht këtë veprimtari e ka kryer në funksion të një kompanie private, që kishte fituar tenderët në lidhje me furnizimin me medikamente mjekësore të QSUT-së. Për procedimin penal janë përdorur disa prova, si informacioni për referimin e veprës penale, referimi i veprës penale, procesverbale të transkriptimeve të përgjimeve në vende publike, procesverbale të transkriptimeve të përgjimeve telefonike, si dhe raporte vëzhgimi. Ndërkohë, prokuroria dhe oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë deklarimet e shtetasve M.Kolaj, D.Ruka, N.Dosti, I.Shehu, E.Zela, I.Minga, E.Hysa, I.Klefti, A.Memini, Gj.Golemi, O.Spahiu, A.Fype, T.Tolicai, H.Fora dhe Dh.Tarifaj. Janë marrë si prova edhe udhëzimet e spitalit “Nënë Tereza”, si dhe pjesë të raportit të KLSH-së për farmacinë e spitalit Onkologjik.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›