E Shtunë, 31 Tetor 2026

VETEFIKASITETI

...ato që njohim përgjysmë(!)

E mira dhe forca qëndrojnë të fshehura pas mendimit pozitiv. Nëse udhëhiqemi kurdoherë prej tij jemi të fituar dyfish. Psikologu Albert Bandura (2004) i kushton rëndësi të veçantë vetefikasitetit që buron nga mendimi i fortë dhe bindës. Me bindje optimiste kërkohen vetëm mundësi reale. Kjo vlen për të gjitha moshat, për të gjitha kohët. Por si krijohet bindja optimiste?
Bindja e zakonshme për të kryer një veprim mund të jetë e tillë që vlen, që të shtyn të ecësh përpara, të hap udhën, të jep dritë të qartë dhe, pse jo, të fuqishme. Ti ke besim (jo të verbër) se do ta arrish një gjë, një synim, do ta kryesh me sukses një punë. Kam njohur dikur një djalë të sapokthyer nga ushtria, Sami Vërça e quanin. Banonte në lagjen më të humbur të fshatit Krëkëz, pothuajse ngjitur me Zelevizhdën. Kishte filluar punë si bari dhish në kooperativë dhe rastësisht vjen në shkollë e më takon. I rruar, i pastër, me një dritë të çuditshme në sy. Gjatë bisedës mora vesh se ai kishte krijuar një bibliotekë të madhe dhe me libra krejtësisht të zgjedhur. Kërkoi që t’ia shihja bibliotekën. Si shkarazi, më vonë, kur isha në shtëpinë e tij dhe po ia shihja bibliotekën me tri faqe muri në raftet prej dru lisi të sharruar (me dorë) e sigurisht po mrekullohesha, më shtiu në vesh se a ia vlente që ai të mbetej me katër klasë shkollë? I dhashë fjalën se do të interesohesha. Dhe e gjeta mënyrën se si të vazhdonte shkollën me korrespondencë, të cilat Sami Vërça i vijoi radhë, deri sa mbaroi edhe Fakultetin e Agronomisë. Sigurisht ai u largua edhe nga dhitë, edhe nga Krëkëza, por jo nga librat. Nuk e kam takuar më, por e kam ndjekur nga larg fatin e tij. Edhe në mes të pyllit ai ndoqi yllin e tij polar, dritën e leximit, me një bindje të fuqishme optimiste për jetën dhe vlerat që do t’i sillte ajo bindje në jetë. Me një vetefikasitet të rrallë dhe me një këmbëngulje të hatashme.Shembujt e një vetefikasiteti të rrallë janë të shumtë. Nuk është vetëm shkollimi, por edhe puna profesionale. Nëse njohja jote rezulton drejt një prurjeje të rrallë të produktit, të rritjes dhe të fuqisë, atëherë do të kemi edhe veprën e krijuar. Vetëm kështu mund të shpjegohet krijimi i nivelit të lartë, mbrojtja e doktoraturës në moshë të shtyrë, vepra letrare e shkencore të pëlqyera, libra që i vlejnë mjaft shoqërisë.
Themi se vetefikasiteti nuk njeh moshë. Le të marrim si shembull pleqërinë. Nuk mund të mos habitesh se në fshat gjen (te moshat e shtyra) një vetefikasitet të lartë, madje “asgjësues”, kurse në qytet niveli i vetefikasitetit është i ulët, madje nganjëherë (edhe dendur) tepër i ulët. është tejet i qartë shpjegimi. Në fshat synimi për të kryer një punë e bën njeriun më produktiv, të pashkëputur nga e përditshmja e zënë dhe jo e braktisur, pa u strukur diku në vetminë shkatërruese, pa socialitet dhe me mendime të pashpresa.
Njeriu që ka synime të qarta dhe një punë konkrete ka edhe vetefikasitet të lartë. Ndryshe ndodh me njeriun që nuk ka objektivin e shqetësuar, por të stresuar, jo këmbëngulës. Vetefikasiteti është ndjenjë dhe njerëzit me këtë ndjenjë të lartë janë kurdoherë më të dhënë, më këmbëngulës, më pak të shqetësuar, më pak të stresuar. I tillë ishte “fshatari” Sami Vërça. Të tillë janë me mijëra, ndonëse kauza e tyre u ngatërrua me aq shumë objeksione politike të gabuara, paçka se me rrobë ndershmërie e me kallo të një pune mjaft lodhëse. Kjo ndjenjë, në jetën e përditshme na drejton në krijimin e qëllimeve të vështira dhe që kërkojnë këmbëngulje, sidomos kur hasim vështirësi. Bandura, psikologu i madh social, e ka shpjeguar qartë fenomenin kur shkruan: “Doni të jeni të pamposhtur në realizimin e një pune? I thoni vetes me shumë siguri se jeni pikërisht ju dhe askush tjetër që do ta kryeni atë punë! Dhe qëllimi është i arritur, suksesin e keni ju në dorë, askush tjetër!”Po si mund të arrihet synimi, të kryhet një punë pa përpjekje? Asnjëherë! Prandaj formula e vetefikasitetit është e qartë: Përpjekje plus këmbëngulje baras përmbushje! Një formulë ajnshtajniane, e përsosur. Me arritjen e një synimi, pra me përmbushjen e një qëllimi apo kryerjen e një pune, besimi rritet, por sidomos po të jenë të vështira atëherë edhe vetefikasiteti dhe vetëpëlqimi janë edhe më bindës, më autoritarë.
Por, a manipulohet vetefikasiteti? Varet çfarë synimi i vë vetes. Nëse je i mbrapshtë atëherë edhe do të kemi arritje të tersëta, të këqija, fruta të hidhur. Nëse ti thua se do të hap njëqind gropa për të mbjellë njëqind pemë, ose njëqind ullinj, atëherë këmbëngulja dhe puna jote do të jetë një krijim pozitiv. Por po u justifikove se s’ke lopatë, se s’ke vend ku t’i mbjellësh pemët, se ke probleme me duart (!) atëherë nuk ke si arrin në finishin e asaj që ke menduar. Kështu puna nuk do të kryhet. Nga ana tjetër, nëse ti je fiksuar në një drejtim tëndin dhe kërkon medoemos që të tjerët të binden vetëm për atë që ti thua darkë e mëngjes, do të ndodhë sigurisht që ndjekësit e tu të binden, por edhe të zhgënjehen se lufta bëhet... për mullinjtë e erës. Sami Vërça e ndërtoi me objektivitet atë që kërkonte, po kur një tjetër, më i arsimuar, më i ditur (madje edhe që veten e quan kampion të dijes!) nuk di çfarë kërkon, por bërtet e thërret si tellall i së keqes gjithë ditën e perëndisë në mes të sheshit të qytetit, atëherë vajtim për mendjen se efikasiteti i tij iku e vate. Pra, asnjëherë nuk mund të çmohemi sa të gjatë jemi e sa zë të lartë kemi, por sa fuqi dhe optimizëm ka vetefikasiteti ynë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›