E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacionet, pacientët në salla të padezinfektuara

08/04/2011  Infeksionet spitalore rrezikojnë jetën e pacientëve të shtruar, në rritje sëmundshmëritë dhe kostot trajtuese

Situata më e rënduar në repartin e Onkologjikut, neglizhohen kushtet hijeno-sanitare

Infeksionet spitalore po shndërrohen në një kërcënim serioz për shëndetin e pacientëve. Jo vetëm sallat e operacioneve, por edhe pavijonet e tjera të reanimacionit apo vendeve të shtrimit klasifikohen si vende të riskut të marrjes së këtyre infeksioneve, të cilat jo vetëm shtojnë komplikacionet shëndetësore, po rëndojnë edhe më tej koston e trajtimit. Sipas një vëzhgimi të kryer nga strukturat e Institutit të Shëndetit Publik, në tremujorin e parë të vitit në disa prej shërbimeve më të rëndësishme të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ka rezultuar prezenca e rreth tetë llojeve të ndryshme të baktereve, ku predominonte E. Coli, Pneumokoku, Streptokoku dhe Pseudomonas, që qarkullojnë nëpër ambientet spitalore. Kjo për shkak të neglizhencës së treguar në pastrimin dhe dezinfektimin e duhur të ambienteve, e veçanërisht të sallave të operacionit, në përdorimin e mjeteve dhe pajisjeve të pasterilizuara, përdorimin pa kriter të antibiotikëve, hyrjet dhe daljet pa kriter nëpër pavijone të familjarëve etj. Studimi ka treguar se më e rënduar situata mbetet tek onkologjiku.

Situata

Konkretisht, studimi specifikon se sipas ekzaminimeve të bëra në repartin e onkologjikut u konstatua një ngarkesë mikrobike me mbizotërim të gram negativëve, ku u izolua bakteri E. Coli. Studimi tregon se ekzaminimet janë kryer në mëngjes, ku normalisht duhej të ishte bërë pastrimi, larja dhe dezinfektimi. Por aty nuk ishte bërë asnjëra prej tyre, çka tregon një neglizhencë të kushteve higjieno-sanitare në ambientin e punës. Ndërkohë që ekipet mjekësore për pak çaste do të bëheshin gati për të futur pacientin e radhës në sallën e operacionit. Më tej, studimi tregon se probleme kishte dhe në dhomën e reanimacionit, në të cilën janë evidentuar shumë hyrje e dalje të familjarëve brenda në këtë repart, gjë që çon në kontaminimin e mëtejshëm të këtyre ambienteve dhe rritjen e shkallës së rrezikshmërisë për marrjen e infeksioneve spitalore. Njëkohësisht vëzhgimet e kryera në repartet e tjera, si ai i okulistikës, kanë treguar se aty mbaheshin pajisje aerosterile, e avujt qëndronin përsëri në atë ambient duke mos pastruar qarkullimin e ajrit, çka çonte në kalimin direkt të mikrobeve dhe baktereve në sallat ky kryhen operacionet. Sipas ekzaminimeve të bëra në tërë kompleksin e këtyre sallave operative, u izoluan gram negativitet E. Coli dhe Pseudomonas. Po ashtu mangësi dhe neglizhenca janë vënë re dhe tek personeli, të cilët lëviznin lirisht nëpër sallat pa treguar kujdes, duke çuar bakteret dhe mikrobet edhe në brendësi të sallës së operacioneve.

Ndikimi

Përveç rëndimit të gjendjes shëndetësore të pacientit, këto neglizhenca ndikojnë negativisht në funksionimin e sistemit. Kështu, si shkak i këtyre probleme rezultojnë edhe kosto të larta ekonomike, të cilat shkaktojnë rritje të problemeve dhe nivelit të vdekshmërisë, zgjatje të ditëqëndrimeve në spitale, kosto të lartë trajtimi, pasoja sociale duke prekur individin, rritje të papunësisë dhe shpenzim të barnave në mjekësinë familjare etj. Për këtë bëhet me dije se kostoja e pakësimit të infeksioneve spitalore deri në 30 për qind në një spital me rreth 200 shtretër shkon deri në 200 mijë euro në vit.

Ndaj shfaqet e domosdoshme marrja e masave që kanë të bëjnë me kontrollin e përdorimit të antibiotikëve dhe preparateve të tjera antimikrobike nëpërmjet zbatimit të protokolleve të mjekimit, si dhe racionalizimit të përdorimit të gjakut dhe derivateve të tij. Gjithashtu kërkohet kontroll më i rreptë i personelit mjekësor, pakësimi i hyrje-daljeve. Lidhur me ambientet, shfaqet si e domosdoshme që verifikohen protokollet e dezinfektimit larjes së biankerive, ai i grumbullimit dhe largimit të mbetjeve të ngurta spitalore, si dhe kontrolli i cilësisë së ajrit. Po ashtu e detyrueshme është edhe përdorimi i udhëzuesve të dezinfektimit para dhe pas kryerjes së veprimeve me pacientin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›