Aksidenti me 15 viktima, fëmijët jetimë në fshatin SOS

Gjatë ditës së martë dy aksidente shënuan vdekjen e dy të rinjve, duke rritur shumë bilancin e vdekjeve këtë muaj në të gjithë vendin
Dy prej fëmijëve të familjes Mustafa, që i mbijetuan aksidentit të rëndë të 17 korrikut në Gjegjan të Pukës, ku mbetën të vdekur 15 vetë, do të jetojnë në qendrën e shërbimeve sociale në Fshatin SOS. Vëllezërit Mirsed dhe Armando Mustafa, përkatësisht 4 dhe 8 vjeç, do të jenë pjesë e familjes së madhe të fëmijëve jetimë.
Vendimi është marrë nga Ministria e Punës në bashkëpunim me familjarët e fëmijëve, të cilët humbën prindërit dhe një motër 13 vjeçe ditën kur autobusi me të cilin ktheheshin nga pushimet në Durrës, ra në humnerë. Drejtoresha e Politikave të Shërbimeve Sociale në Ministrinë e Punës, Denada Seferi, tha për mediat se pas dy vëllezërve, pritet akomodimi në Fshatin SOS edhe i dy motrave të familjes Mustafa, Anisës 10 vjeçe dhe Miraldës, 14 vjeçe.
Aktualisht dy motrat Mustafa po trajtohen në Spitalin Ushtarak. Mjekët specialistë janë shprehur optimistë për përmirësimin e gjendjes së tyre. Familja Mustafa është familja që u dëmtua më shumë nga aksidenti i rëndë i 17 korrikut, pasi humbi tre persona. Në këtë aksident që ndodhi në komunën Gjegjan të Pukës vdiqën 14 vetë, ndërkohë që 12 u shtruan në spital në gjendje jo të mirë. Vetëm dy ditë më parë u shënua viktima e 15-të, pasi 9-vjeçari Erikson Peraj humbi jetën në spitalin ushtarak.
Lezhë, aksident i trefishtë, një i vdekur
Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës kanë bërë të ditur se aksidenti është shënuar në afërsi të fshatit Gocaj rreth orës 11:30 të ditës së martë.
Një automjet tip "Benz" me targa të Shkodrës, që drejtohej nga shtetasi Dritan Selmani, 39 vjeç, nga Shkodra, si dhe një automjet tip "Audi" me targa greke që drejtohej nga shtetasi Gjek Gjeka, 43 vjeç, nga Lezha teksa po tentonin të parakalonin njëri-tjetrin në mënyrë të gabuar kanë përplasur një motor në të cilin po udhëtonin Arben dhe Tereze Frroku nga fshati Barbullojë i Lezhës.
Sipas policies, në këtë aksident të trefishtë ka humbur jetën shtetësja Tereze Frroku 29 vjeçe dhe është plagosur rëndë Arben Frroku, 33 vjeç, i cili është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës në gjendje kritike për jeten.
Uniformat blu kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë rreth shkaqeve të aksidentit, si edhe kanë ndaluar dhe shoqëruar në polici dy drejtuesit e automjeteve. Arrin në 6 numri i personave që kanë humbur jeten në qarkun e Lezhës gjatë muajit korrik, si rezultat i aksidenteve automobilistike.
Librazhd, del nga rruga furgoni, vdes 24-vjeçari
Ngjarja ka ndodhur në mesditë në vendin e quajtur Pishkash përgjatë rrugës nacionale Librazhd-Përrenjas. Një furgon tip "Benz" me targa FR 8872 C me drejtues shtetasin Marjus Toska ka dalë nga rruga duke përfunduar i përplasur. Për pasojë, ka gjetur vdekjen e menjëhershme 24-vjeçari me banim në Tiranë. Ndërkohë ka mbetur i dëmtuar një 59-vjeçar që ishte pasagjer në furgon.
Sipas të dhënave të para, nga verifikimi i rrethanave të aksidentit dyshohet se 24-vjeçari ka humbur kontrollin e mjetit papritur duke dalë nga rruga. Përplasja ka qenë fatale për të duke i shkaktuar vdekjen. Agjentë të policisë rrugore dhe ekspertë janë duke verifikuar shpejtësinë e mjetit dhe shkaku që solli aksidentin fatal.
Mësohet se 59-vjeçari i dëmtuar është dërguar në spitalin e Librazhdit dhe më pas është transferuar në Tiranë. Aksi rrugor nacional mbetet më i ngarkuari gjatë kësaj periudhe për shkak të kthimit të emigrantëve dhe hyrjes së një numri të madh turistësh nga Qafë-Thana.