Operacioni; U arratis tre muaj më parë, arrestohet Petrit Çakrri
Arrestohet 3 muaj pas thyerjes së lejes së dhënë nga burgu, kapet në afërsi të qendrës së kryeqytetit. Petrit Çakrri, 38-vjeçari nga Tropoja, që deklaroi përmes mediave televizive se nuk do të kthehej më në burg pas lejes 1-javore, u kap nga Drejtoria e Krimit të Organizuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Çakrri, lindur e banues në Tropojë, ka qenë i proceduar më parë për kryerjen e disa veprave të ndryshme si “vjedhje me dhunë” dhe “mashtrim në shuma të mëdha parash”. Sipas policisë, ndalimi i 38-vjeçarit u krye, pasi ai ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në datën 22 janar 2009. Shkak i shpalljes në kërkim ishte mosrespektimi i lejes së dhënë nga drejtuesit e burgut Shën Koll të Lezhës. Ai i është dorëzuar sërish autoriteteve të burgut të Lezhës, për të vazhduar vuajtjen e dënimit të dhënë nga drejtësia shqiptare.
Arratisja
Petrit Çakrri shfrytëzoi lejen e dhënë në mirëbesim nga drejtuesit e burgut të Shën Kollit, duke u arratisur, siç deklaroi edhe vetë ai, drejt Malit të Zi. 38-vjeçari është një nga dëshmitarët në gjyqin e vrasjes së deputetit të PD-së, Azem Hajdari. Arratia e tij u bë publike, pasi kaloi ora për t’u kthyer sërish në ambientet e burgut, ku pritej të përfundonte masën e ngelur të dënimit prej 1 viti e 4 muaj burg. Por, arratinë do e konfirmonte publikisht edhe vetë Çakrri përmes një interviste televizive me telefon, ku do të deklaronte arsyet e ndërmarrjes së një hapi të tillë, vendin ku ndodhej dhe çfarë synonte të arrinte. Sipas deklarimeve të tij, Çakrri deklaronte se i ka dhënë liri vetes, pasi drejtësia nuk po e bënte, duke e mbajtur në burg dhe pse kishte mbaruar dënimin e tij. 38-vjeçarit nga Gugaj i Tropojës i kishte mbetur edhe 1 vit e 4 muaj burg për të vuajtur. Çakrri deklaroi se e mori vendimin e arratisë, pasi gjykata nuk pranoi dy ditë më parë kërkesën e tij për ndryshim mase arresti.
Kërkesa
Në muajt e fundit të vitit të kaluar, Petrit Çakrri ka depozituar një kërkesë në Gjykatën e Tiranës, ku kërkonte “shuarje të masës së sigurimit”. Gjatë seancës u vendos të rrëzohej kërkesa e Çakrrit, duke mos u pranuar ndryshimi i masës së sigurisë. Edhe më parë, ky i dënuar i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për të përfituar ulje dënimi apo amnisti, por kërkesat e tij nuk janë pranuar, duke qenë një përsëritës i veprave penale.
Mashtrimi
Petrit Çakrri e mori dënimin e dytë, përkatësisht 6 vjet burg për veprën penale të mashtrimit në burgun 302, pasi përmes kunatit të tij, Besnik Sula, i mori 20 mijë USD të dënuarit me 20 vjet burg Petrit Kallashi, me premtimin se do ta nxirrte nga burgu. Sipas burimeve zyrtare të burgut, mësohet se i ka grabitur me anë të mashtrimit 20 mijë dollarë të dënuarit me 20 vjet heqje lirie, Fatmir Kallashi. Ky i fundit, sipas të njëjtave burimeve, ka qenë në të njëjtën dhomë me Petrit Çakrrin, në burgun “Mine Peza” (302). Duke luajtur brenda qelisë, dy të pandehurit, Çakrri dhe Kallashi, në bisedë e sipër ai i ka premtuar se do ta lironte nga burgu Kallashin, nëse do të paguante shumën prej 20 mijë dollarësh. Fatmir Kallashi ka pranuar të bashkëpunojë me Çakrrin, në këmbim të lirisë së shumëkërkuar. Ai i ka thënë bashkëshortes të dorëzojë tek Besnik Sulaj, kunati i Çakrrit, 20 mijë dollarë e më pas të presë rezultatin e bisedimeve me prokurorët ose gjyqtarët.