Poni; Pasaportat përdoren deri në 2010, më pas biometriket
Pasaporta për jashtë shtetit është e vlefshme deri në fund të vitit 2010. Në fillimvitin 2011, të gjithë shtetasit shqiptarë duhet të jenë pajisur me pasaporta biometrike, pasi pasaportat aktuale dalin nga qarkullimi si të pavlefshme. Kështu deklaroi dje zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. Sipas tij, më pas qytetarët mund të lëvizin vetëm me pasaporta biometrike. Ai vlerësoi si shumë të rëndësishme këto të fundit, pasi para kujtdo që do të paraqiteshim me një dokument të tillë, prezantohemi si qytetarë të denjë. "Pasaporta biometrike është dokument i një sigurie tepër të lartë, që ka një numër unik dhe përmban të dhëna demografike dhe biometrike, si portreti i plotë i aplikuesit, firma dixhitale, si dhe shenjat e dhjetë gishtave të duarve", - u shpreh Poni. Sipas tij, ritmet e aplikimit për pasaportën biometrike janë 7 deri në 10 herë më të larta se ato të aplikimit për pasaportën aktuale për jashtë vendit, ndërkohë që ai kërkoi nga të gjithë qytetarët, që të aplikojnë për t'u pajisur me këtë dokument. Pajisja me pasaporta biometrike nuk do të bëhet më pranë komisariateve në vend, por në njësitë bashkiake, aty ku bëhet edhe pajisja me karta identiteti. Një pasaportë biometrike do të kushtojë 6 mijë lekë, ndërkohë që koha e aplikimit do të jetë e njëjtë me atë për karta identiteti. Ndërsa pajisja me një pasaportë biometrike bëhet në një kohë më të shkurtër për personat që kanë aplikuar më parë për karta identiteti. Ministria e Brendshme ka njoftuar të gjithë shtetasit shqiptarë se tashmë nuk do bëhen më aplikime për pasaporta në komisariatet e policisë, por nëpër njësitë bashkiake, ndërkohë që nuk do ketë penalizime për aplikuesit edhe pse pasaporta e tyre do kohë për të skaduar. Afati përfundimtar i vendosur nga shteti shqiptar për përdorimin e pasaportave aktuale është fundviti 2010.