E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë; Gaba, Ngresi e Hanxhari, gjyq kundër KLD-së



Tre gjyqtarët e shkarkuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjinovefa Gaba, Sokol Ngresi e Vasil Hanxhari kanë hedhur sërish në gjyq KLD-në. Seanca e parë është caktuar për më 19 maj, ndërkohë që tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit në Vlorë kërkojnë nga Kolegjet e Bashkuara rikthimin në detyrë dhe shfuqizimin e vendimit të KLD-së. Shkarkimi i tyre u bë 1 vit më parë, pas propozimit të inspektorëve se janë gjetur shkelje në dosjet e gjykuara prej tyre. Së bashku me ta, KLD-së iu propozua nga ministri i Drejtësisë edhe shkarkimi i kolegëve të tyre, Meme Rexho dhe Alaudin Malaj, procedime që nuk janë shqyrtuar ende nga këshilli. Kërkesa e tre gjyqtarëve të shkarkuar për shfuqizim të vendimit të KLD-së nuk u shqyrtua nga Gjykata e Lartë, pasi këshilli kërkoi pezullimin e shqyrtimit të padisë së tyre derisa të vendosë Prokuroria e Vlorës për procedimet e nisura ndaj tyre. Kolegjet e Bashkuara në mars të vitit të kaluar pranuan kërkesën e KLD-së, duke vendosur pezullimin e shqyrtimit të padisë, ndërkohë që një vit pas këtij pezullimi, pritet që më 15 maj të fillojë shqyrtimi i kërkesës për shfuqizimin e vendimit të KLD-së për shkarkimin e tyre. Ata e kanë konsideruar këtë vendim të padrejtë. Në fund të mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të datës 31 janar 2008, KLD-ja deklaroi se Gjinovefa Gaba, Sokol Ngresi dhe Vasil Hanxhari kishin cenuar rëndë imazhin dhe integritetin e gjyqësorit me abuzimet dhe shkeljet që ishin gjetur në Apelin e Vlorës dhe dosjet e shqyrtuara prej tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›