E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit; Të dënuarit nisin aplikimin në burgje



Edhe të dënuarit brenda një kohe të shkurtër do të pajisen me karta identiteti. Madje, për zgjedhjet e qershorit, të dënuarit dhe të paraburgosurit do të votojnë me karta identiteti. Një gjë e tillë është mundësuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila ka nënshkruar një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme, që ky aplikim të bëhet në ambientet ku të dënuarit janë duke vuajtur dënimin. Për të realizuar suksesshëm një gjë të tillë, nga Drejtoria e Burgjeve janë marrë të gjitha masat për ngritjen e ambienteve të posaçme, ndërkohë që Ministria e Brendshme instaloi aparaturat që procesi i aplikimeve të ecë normalisht. Dje nisi aplikimi për karta identiteti në një nga burgjet shqiptare. Sipas burimeve zyrtare, fillimisht aplikimi ka nisur në paraburgimin 313 “Jordan Misja”, ku do të pajisen me karta identiteti të paktën 312 persona. Një fakt i tillë bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat bëjnë të ditur se gjithçka është arritur përmes një marrëveshjeje të përbashkët me Ministrinë e Brendshme, me qëllim që edhe të dënuarve apo të paraburgosurve shqiptarë t’u bëhet e mundur pajisja me kartë identiteti. Sipas burimeve zyrtare nga burgjet, nëpër burgje është instaluar infrastruktura e nevojshme për të bërë të mundur nisjen e aplikimit, ndërkohë që për herë të parë aplikimet startuan në paraburgimin “Jordan Misja”. Aplikimet në sistemin e burgjeve do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim në burgjet e tjera të vendit, derisa të përfundojë si proces për 4.995 të dënuar dhe të paraburgosur që ndodhen në të gjitha burgjet e vendit. Po i njëjti proces që ndiqet jashtë mureve të burgjeve për tërheqjen e kartave të identitetit do të aplikohet edhe për të dënuarit. Ata do të tërheqin kartat e gatshme në një sallë të lënë në dispozicion nga çdo burg për dorëzimin e kartave të identitetit. Kjo kategori personash, me vendim të Këshillit të Ministrave, përfiton pajisje me karta identiteti falas. Pajisja me karta identiteti u jep fund përdorimit të certifikatave. Një gjë e tillë u rregullua edhe me vendim qeverie së fundmi, që urdhëronte të gjitha institucionet shqiptare që të pranonin kartën e identitetit si dokument, duke evituar në këtë mënyrë përdorimin e certifikatave. Madje, heqja nga qarkullimi e certifikatave do t’i njoftohej edhe selive të huaja në vend, me qëllim evitimin e kërkimit të tyre ndaj shtetasve shqiptarë për pajisje me vizë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›