Sherri mes policëve, masa ndëshkuese për 7 oficerë policie
Një sherr i ndodhur për motive banale më 4 prill u ka kushtuar gjashtë punonjësve të policisë të përfshirë ndëshkimin me masa disiplinore, nga të cilat një përjashtim nga radhët e policisë dhe 6 masa disiplinore në gradim dhe pagë. Në përfundim të analizës dhe verifikimit të plotë të ngjarjes nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, duke ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara në ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe në rregulloren e disiplinës u vendos që për shoferin e drejtorit të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, inspektor Blerim Mëhilli, të merret masa disiplinore “Përjashtim nga Policia e Shtetit”. Ndërkohë, sipas burimeve zyrtare nga policia e Gjirokastrës, për komisar Adriatik Tola, me detyrë përgjegjës postblloku, u mor masa disiplinore “Pezullim pa pagesë 30 ditë”, për mosveprim. Masat ndëshkimore vijojnë edhe për nënkomisar Birbil Makriun, me detyrë zëvendëspërgjegjës për postbllokun, për të cilin u mor masa disiplinore “Shtyrje afati gradimi për 12 muaj”, për mosveprim. Për inspektor Thanas Nikën, me detyre oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Tepelenë me shërbim në postbllokun e policisë u mor masa disiplinore “Shtyrje afati gradimi për 12 muaj”, për mosveprim. Edhe për inspektor Elidon Ormëni, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Tepelenë, me shërbim në postbllokun e policisë, u mor masa disiplinore “Shtyrje afati gradimi për 12 muaj”, për mosveprim. Për inspektor Bardhi Bineri, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, me shërbim në postbllokun e policisë, iu dha masa disiplinore “Shtyrje afati gradimi për 12 muaj”, për mosveprim. Ndërsa inspektor Dëfrim Sinani, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, me shërbim në postbllokun e policisë, u mor masa disiplinore “Heqje e pagës në masën 5 ditë punë”, për mosveprim.
Ngjarja
Ngjarja në të cilën u përfshinë punonjësit e policisë ka ndodhur më 4 prill të këtij muaji në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër. Punonjësit e policisë janë përleshur me njëri-tjetrin në një postbllok në rrugë, pas kërkesës së njërës palë për të kontrolluar dokumentet e një shtetasi. Bashkë me të kanë qenë edhe dy persona të tjerë, njëri efektiv në policinë e Qarkut në Gjirokastër dhe tjetri në Gardën e Republikës. Në fillim midis punonjësve të postbllokut dhe palës tjetër ka pasur debate, të cilat më pas kanë çuar në përplasjen fizike. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Gjirokastrës, në vendin e quajtur Ura e Leklit në aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, nga ana e punonjësve të policisë, të cilët kryenin shërbim në postbllokun, i përbërë nga forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, të Komisariatit të Policisë Gjirokastër dhe të Komisariatit të Policisë Tepelenë, është ushtruar kontroll në automjetin tip BMW, me targa GJ 84 20 A, me drejtues mjeti shtetasin Qëndrim Çela, lindur dhe banues në fshatin Krahës të rrethit Tepelenë. Nga ana e punonjësve të policisë i është kërkuar të paraqesë dokumentacionin përkatës të automjetit, por ky shtetas nuk ka pranuar duke kundërshtuar me fjalë punonjësit e policisë, pasi ka qenë në gjendje të dehur. Ndërkohë, në postbllokun e policisë ka ardhur punonjësi i policisë, shtetasi Blerim Mëhilli, lindur dhe banues në Gjirokastër, me detyrë punonjës policie në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, së bashku me shtetasin Evis Mërtiri, lindur dhe banues në fshatin Krahës të Rrethit Tepelenë, me detyrë punonjës policie në Gardën e Republikës, të cilët kanë debatuar me punonjësit e postbllokut të policisë, për arsyen e ndalimit të shtetasit të lartpërmendur, pasi edhe këta shtetas kanë qenë në gjendje të dehur. Më pas, sipas burimeve zyrtare policore, debati ka degjeneruar, pasi shtetasit Mërtiri dhe Mëhilli kanë goditur me grushte në fytyrë njërin prej punonjësve të policisë së Komisariatit të Policisë Gjirokastër, i cili kryente shërbim në postbllokun e policisë. Forcat e policisë në postbllok kanë ndërhyrë për të normalizuar gjendjen dhe shoqërimin e personave për në komisariat, por shtetasi Evis Mërtiri dhe Qëndrim Çela janë larguar me shpejtësi në drejtim të Tepelenës.