E Diel, 1 Nëntor 2026

Plani i ballkanit perëndimor hap një perspektivë të qartë europiane për popullin shqiptar

Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini konfirmon në një intervistë televizive, mbështetjen e Italisë ndaj vendit tonë  

Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franco Frattini deklaroi dje në mbrëmje, në një emision televiziv, se plani i paraqitur prej tij për integrimin në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor i jep popullit shqiptar një perspektivë të qartë europiane.  Ministri Frattini informoi se e ka paraqitur këtë propozim konkret edhe te Sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Klinton, e cila ishte shumë e kënaqur për një ide strategjike për Ballkanin Perëndimor.   "Nuk mendoj se ka një paketë vendesh të BE-së, pasi çdo vend duhet vlerësuar për meritat e veta. Për sa i përket planit për Ballkanit, ne kemi menduar se ndoshta është koha për të dhënë afate precize", tha Frattini. Çdo vend i këtij rajoni, sipas kreut të diplomacisë italiane, "duhet të ketë një perspektivë të sigurt dhe në këtë drejtim është folur për liberalizim vizash. Unë kam shtuar një datë, fundin e këtij viti". Ndërsa kur flitet për aderim në BE, Ministri Frattini theksoi se "aderimi i Kroacisë pritet të ndodhë brenda vitit 2010, ndërsa analiza e kërkesës për aderim të Shqipërisë, të ndodhë vitin e ardhshëm. Statusi për vendin kandidat është një vendim që nuk merret pas 10 vjetësh, por brenda 2010. Nëse vendimi do të jetë pozitiv apo negativ, kjo varet nga Shqipëria, nga  fakti, nëse ajo plotëson apo jo standardet europiane për të nisur negociimet", u shpreh Frattini. Koha se kur Shqipëria do të anëtarësohet në BE, sipas Ministri Frattini "varet nga meritat e vetë Shqipërisë". Ne nuk jemi për standarde të dyfishta, tha ai, ndërkohë që theksoi se "nuk mund të bllokohet një kërkesë për aderim".   Sipas tij, Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian, atëherë kur të arrijë të gjitha parametrat që do të jenë të nevojshëm për të hyrë në Europë. "Se kur mund të bëhet Shqipëria pjesëtare me të drejta të plota e BE-së, kjo nuk do të ishte e ndershme të thuhej nga një mik i Shqipërisë. Unë jam mik i Shqipërisë dhe nuk do të tregohesha i sinqetë nëse do të thoja se do të anëtarësoheshit në 2011, 2012 apo 2013", u shpreh zoti Frattini. Në këtë drejtim, Frattini siguroi se "Italia asnjëherë nuk do ta trajojë më keq Shqipërinë se sa vendet e tjera, por do të ketë një vlerësim, njësoj si në rastin e Bullgarisë, Rumanisë dhe tani Kroacisë". Ai vlerësoi se "Shqipëria ka bërë një hap përpara drejt BE dhe ka arritur një rezultat historik me hyrjen në NATO". Ky rezultat, sipas tij "ka pasur edhe mbështetjen e vazhdueshme të Italisë dhe kjo ndihmon shumë imazhin e Shqipërisë. Në Itali ka shumë emigrantë shqiptarë që janë integruar dhe nuk krijojnë asnjë problem. Për Italinë, 10 vjet më parë, Shqipëria ishte një vend në të cilin vinin përditë klandestinë me gomone, tani këtë nuk e kujton askush", tha zoti Frattini. 

Shqipëria dhe Italia të interesuara për bashkëpunim në fushën e energisë bërthamore

Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini ka konfirmuar se Italia është e interesuar të bashkëpunojë me Shqipërinë për disa projekte strategjike për ndërtimin e centraleve bërthamore. Në një intervistë televizive dje në mbrëmje, Kreu i diplomacisë italiane u ndal te prania ekonomike e investitorëve italianë në Shqipëri duke veçuar interesin e Italisë për të bashkëpunuar në projekte për energjinë bërthamore. "Vizita e fundit e Kryeministrit Berlusconi në Tiranë dëshmon se ne duam të bëjmë shumë më tepër në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, përshembull në infrastrukturë dhe në bashkëpunimin për energjinë. Ne  jemi shumë të interesuar për zhvillimin e energjisë bërthamore", tha ministri Frattini. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se "edhe Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë me disa projekte strategjike, të cilat janë shumë të rëndësishme. Italia po ribën një strategji për ndërtimin e centraleve bërthamore dhe po bisedojmë me një vend mik dhe fqinj, si Shqipëria për të bashkëpunuar për këtë gjë, sigurisht bazuar në tekonologjinë e fundit bërthamore, që është shumë e sigurt. Po e vlerësojmë dhe arsyetojmë këtë projekt. Di që janë vendosur disa kontakte me Enelin, që është shoqëria e interesuar për këtë dhe kryeministri Berlusconi i'u referua kësaj ideje gjatë vizitës në Tiranë", tha zoti Frattini. Nga ana ekonomike, ministri Frattini vuri në dukje se "Italia përfaqëson më se 35 për qind të të gjithë ndërkëmbimit të Shqipërisë me vendet e tjera, pra ka një rol të rëndësishëm në këtë drejtim".  I pyetur lidhur me impaktin që krijon ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, Ministri Frattini theksoi se "ndërtimi i kësaj rruge është shumë i rëndësishëm edhe për faktin se i hap rrugë investimeve italiane në Kosovë". 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›