Vendi ynë, çelësi I stabilitetit në rajon
Ambasadori Frank G. Wisner, Përfaqësues i Posaçëm i Sekretares së Shtetit të SHBA-ve në bisedimet e statusit të Kosovës, e ka vlerësuar Shqipërinë si çelësin e stabilitetit në rajon dhe për këtë gjë "janë të interesuar edhe amerikanët". Në një intervistë televizive dje në mbrëmje, ambasadori Wisner u ndal në proceset integruese të vendit tonë, ndërsa shprehu bindjen se "pas hyrjes së Ballkanit Perëndimor në BE, nacionaliteti në Europë do të shuhet". Duke i vlerësuar si shumë të mira dhe solide marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së, ambasadori Wisner vuri në dukje se "edhe gjatë mbledhjes në samitin e NATO-s, Presidenti Obama shprehu fjalë të mira për Shqipërinë dhe Kroacinë". "Shqipëria është një element shumë i rëndësishëm për të ardhmen që synojmë ne për Evropën Juglindore", tha zoti Wisner. Diplomati amerikan u shpreh se "përvoja e Shqipërisë në demokraci, aftësia për të zhvilluar zgjedhje të ndershme dhe të pavarura dhe për të pasur një sistem gjyqësor të paanshëm, ku zbatohen ligjet dhe rregulli, janë elementë që do të ndikojnë në rajon". Shembulli që do të japë Shqipëria, sipas ambasadorit Wisner, "do të bëjë ndryshimin mbi jetën e rajonit dhe do të tregojë perspektivën që do të ketë për të ardhmen vendi dhe ky rajon". Siç cilësoi ai, "shembulli që do të japë Shqipëria duke ruajtur miqësinë me fqinjët, me Serbinë dhe Greqinë, do të krijojë një atmosferë harmonie dhe kjo është një gjë e mirë për Shqipërinë dhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane". Për sa i përket integrimit të Shqipërisë në NATO, ambasadori Wisner vlerësoi se "një gjë e tillë i shërben stabilitetit të rajonit. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të thotë se ky rajon që shtrihet jashtë Evropës dhe perëndimit, tani po bëhet pjesë e Evropës së bashkuar dhe e SHBA-së. Më në fund ju mund të realizoni edhe ëndrrën e të qenit pjesë e familjes së madhe evropiane", tha ai. I pyetur nëse anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një vendim politik apo ushtarak, Ambasadori Wisner u shpreh se "të gjitha vendimet ushtarake janë në njëfarë mënyre vendime politike. Vendimi politik ishte të krijohej një aleancë e fortë në të cilën kombet e Evropës do të bashkohen dhe do të mendojnë për mbrojtjen e përbashkët, për paqen dhe për marrëdhëniet me vendet e tjera si një trup i vetëm. Fakti që Shqipëria u bë anëtare e kësaj familjeje të madhe është gjë e mirë për të gjithë ata që dëshirojnë sigurinë dhe Evropën e lirë", u shpreh diplomati amerikan. Duke u ndalur te rëndësia e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, në 28 qershor, ambasadori Wisner tha se "në momente të tilla, kur të gjitha vendet po vuajnë krizën ekonomike, është e rëndësishme që populli të ketë besim te qeveria dhe te politikat e saj parandaluese të krizës".
...