E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazili, zhvillimi përtej krizës

Një nga katër katet e qendrës tregtare më luksoze në Brazil, "Fashion duslu" është rreptësisht e ndaluar për meshkujt. Klientet e pasura kanë kështu mundësi të provojnë fustanin "Valentino" apo kostumet "Hermes" pa u dashur të mbyllen në dhomën e provës, por të ulen të qeta në divanet prej mëndafshi, duke shijuar ndonjë filxhan kafe ose ndonjë gotë "Dom Perignon". Disa prej tyre udhëtojnë vazhdimisht me ndonjë prej 830 avionëve privatë që fluturojnë në qiejt brazilianë. Në vitin 2008, në qytetin brazilian u shitën më shumë "Ferrari" se në çdo vend tjetër të botës, ndërsa firma "Luis Vuiton" shënoi numrin më të lartë të shitjeve në ndonjë vend. Me 20 milionë banorët e tij, kryeqyteti ekonomik i Brazilit është një nga metropolet e para në botë për numrin e miliarderëve, të paktën sipas asaj që tregon revista e përmuajshme "Forbes", që është njëkohësisht edhe pasqyra besnike e rrugëtimit të artë të vendit. Ndërsa pjesa më e madhe e botës është e angazhuar për të shpjeguar shkaqet e krizës dhe planet për daljen prej saj, ekonomia e Brazilit po rritet me ritme të shpejta. Shumë prej analistëve që po merren me bumin e vendit amerikano-jugor kanë arritur në përfundimin se "Brazili do të falë më i fortë nga kjo krizë ekonomike". Pas një fillimviti të vështirë, vendi nisi ta ngrejë kokën. GDP për vitin 2009 ka pasur një ulje shumë të vogël, më pak se 0.5 për qind për t‘iu rikthyer vlerave pozitive sipas vlerësimeve të kujdesshme me 4.2 për qind brenda vitit 2010. Në qershor, raporti mes eksportit dhe importit arriti një shifër rekord që nuk ishte parë që nga qershori i vitit 2006 me plot 4.6 miliardë dollarë; një rritje prej 23.8 për qind për gjashtëmujorin e 2009-s krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Të dhënat kanë arritur të kalojnë edhe parashikimet e Bloombergut dhe tregon se si eksporti është në bumin e tij, pavarësisht se valuta braziliane vlerësohet me rreth 20 për qind të euros. Ajo që ka udhëhequr eksportet braziliane është mbi të gjitha Kina, e cila për këtë vit duket se e ka lënë pas Amerikën duke e bërë Brazilin partnerin e saj kryesor në tregti. Ndërkaq, ndryshe nga vendet e tjera prodhuese të lëndëve të para, të penalizuara nga rënia e madhe e çmimeve për shkak të krizës, Brazili ishte në gjendje ta përballonte më lehtë goditjen për shkak të tregut të brendshëm shumë të madh. Ajo që e kompleton këtë panoramë është një e dhënë shumë e rëndësishme. Brazili, që në vitet ‘90 ishte në luftë të vazhdueshme me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për herë të parë në historinë e tij është bërë kreditori neto i institucionit financiar. Lajmërimi për këtë kthesë historike u dha më 10 qershor nga ministri i Ekonomisë, Guido Mantega, një prej shumë italo-brazilianëve që gjenden në kabinetin qeveritar të Presidentit Luis Incio Lula da Silva: "I kemi marrë FMN-së 10 miliardë dollarë, përmes blerjes së obligacioneve të saj", deklaroi ai. Një përgjigje konkrete për zëvendësministrin gjerman të Financave, Jorg Asmussen, që duke iu referuar pretendimeve të Lulës për "t‘u mbështetur më shumë te FMN dhe Banka Botërore", pati deklaruar: "Nëse një shtet kërkon të ketë një rol më të madh duhet edhe të kontribuojë më shumë. Nuk ka vakte falas". Prej një muaji Brazili ka nisur të "paguajë vaktet" dhe u ka bërë të gjithëve të ditur se dëshiron që vendi iu tij të ketë një rol të rëndësishëm në botë. Nga ana tjetër, bota ka nisur ta shohë vendin nga këndvështrime të ndryshme. Në G20 në Londër, Barak Obama e përshëndeti Lulën, duke e goditur lehtë mbi shpatulla dhe duke i thënë: "This is my man". Një veprim i interpretuar shumë nga shtypi britanik. Po ashtu, vendi i madh amerikano-jugor është një partner i rëndësishëm edhe për Europën. Shumë industri italiane i detyrohen gjigantit amerikano-jugor për pjesën më të madhe të fitimeve. "Pirelli" sapo ka investuar 200 milionë dollarë në vend. "Fiat" ka në Brazil tregun e tij më të madh në botë. Investimet e huaja janë favorizuar shumë edhe nga masat e qeverisë "Lula". Në të vërtetë, brazilianët janë shumë të dhënë pas makinave, ndaj këto kompani dalin gjithmonë me fitime në vend. Mesatarisht, brazilianët ndërrojnë makinë çdo dy vjet, duke konsideruar një status simbol të vërtetë. Këtë konfirmon edhe Igor Gallo Kalassa, menaxheri i Chervolet: "Në qershor shitjet u shtuan me 21.5 për qind në krahasim me një muaj më parë. Një rekord ky që është bërë i mundur nga reduktimi i taksave të vendosura nga qeveria, por mbi të gjitha nga besimi që të jep ky vend në këtë kohë krize". Por përtej shifrave, çfarë fshihet pas kësaj mrekullie? Një përzierje e guximshme politikash monetare dhe fiskale që mbi të gjitha kanë pasur si qëllim për të rritur fuqinë blerëse të shtresave më të varfra, tradicionalisht të përjashtuara nga qarqet e konsumeve dhe eksesit ndaj kredive. Ajo që bëri të mundur këtë zgjedhje ishte një sistem bankar ndër më të konsoliduarit në botë. Në SHBA, raporti mes rezervave (kapitalit të bankave) dhe depozitave (parave të depozituara nga klientët) varion nga 3 deri në 10 për qind, në Kinë është 15 për qind, ndërsa në Brazil edhe në periudhën e krizës ishte 45 për qind. Bankës Qendrore në vend i mjaftoi për ta ulur këtë përqindje në 42, në mënyrë që të jepte 69 milionë dollarë kredi. "Të gjithë na kanë zili që mund të mbështetemi te tri banka të mëdha publike,

që pavarësisht presioneve nuk u privatizuan në fillimin e viteve ‘90", shpjegojnë disa funksionarë të lartë të ekonomisë braziliane. Referimi është për "Banco do Brasil", "Caixa e cionomica federal" dhe Bndes (Banka Kombëtare për Zhvillimin Ekonomik-Social", tre gjigandë financiarë që në bashkëpunim me Bankën Qendrore kanë siguruar një fluks në rritje kredish si ndaj kompanive private ashtu edhe atyre shtetërore edhe në muajt më kritikë të krizës botërore. Kështu, ndërsa SHBA, Britani dhe vende të tjera të industrializua janë përpjekur të shpëtojnë bankat private më në rrezik duke injektuar para publike, Brazili përqendrohej në plane që nga kjo krizë të dilte fitimtar. Ndërsa në Argjentinë, një tjetër gjigant i Amerikës Latine, njerëzit i tremben një krize si ajo e 2001-it, në Brazil shtresa e mesme bën garë për të investuar paratë. Është e vërtetë që në vend ka akoma 45 milionë të varfër, por falë ndihmës familjare me rreth 40 euro për person dhe një rroge mujore e cila nga 53 euro në 2003 ka shkuar në 185, edhe më të këputurit kanë nisur të ngrenë kokë. Mbi fatin e tyre luhet e ardhmja e Brazilit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›