E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina sallën universale e galerinë i shkrin në një projekt

Verën e kaluar, Komuna e Prishtinës premtoi se kryeqytetit do t’i shtohen dy objekte kulturore. Salla universale dhe Galeria e kryeqytetit, ishin propozimet që Departamenti i Kulturës i Komunës së Prishtinës, i prezantoi publikisht. Lokacioni i së parës ishte përzgjedhur pak metra pranë vendit ku institucioni më i lartë kulturor në vend ka përzgjedhur për ndërtimin e Shtëpisë së Teatrit e Operës “Ibrahim Rugova”, derisa për të dytin nuk kishte përmendur lokacion.
Disa muaj më vonë, kur i është dashur të bëjë hesapet me buxhet, Komuna e Prishtinës i ka rënë pishman. Në vend se të realizojë dy projekte të ndara, ky institucion Sallën Universale dhe Galerinë e Kryeqytetit i ka shkrirë në një objekt të vetëm, , shkruan “Koha Ditore”.
Sipas drejtoreshës për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Prishtinës, Vlora Dumoshi, kjo ka ndodhur për dy arsye
“Në fillim kanë qenë vetëm projektpropozime, por kur është hartuar buxheti për shkak të mjeteve dhe lokacionit, është vendosur që të realizohet salla universale dhe në kuadër të saj të futet edhe galeria e kryeqytetit”, ka thënë Dumoshi.
Sipas Dumoshit, departamenti, që ajo udhëheq, në javën e ardhshme do të hapë konkurs për projekt të sallës universale, për të cilën sivjet ka ndarë 500 mijë euro dhe në kuadër të saj do të përfshihet edhe projekti që u dedikohet artistëve pamorë.
Kur kishte dhënë propozimin për ndërtimin e sallës universale, Komuna e Prishtinës kishte planifikuar që ky projekt t’i kushtojë rreth 2 milionë euro.
Sipas Dumoshit, lokacioni ku do të ndërtohet Salla Universale Kulturore ka mbetur i njëjti që ishte paralajmëruar. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›