E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opinion/ Ajo që dihej dhe ajo që nuk dihej

Nga Ilir Dhima
Rreth asaj që ngjau në seancën parlamentaretë 3 nëntorit, e cila qe lajmëruar për zhvillimin e një mocioni debati me Kryeministrin mbi të shumëpërmendurën ‘Çështje Fazlliç’, kam bindjen që nuk është i mjaftueshëm një informacion i hollësishëm..... 

.... as edhe një koment i vetëm, qoftë të nesërmen e asaj date, qoftë të pasnesërmen e saj dhe më tutje. Sepse, ajo që ngjau atë mbrëmje, njëherazi përmblidhte edhe atë që dihej, edhe atë që nuk dihej. Të kuptohemi, në këto radhë nuk e kam fjalën për faktet që ilustrojnë interesimin e njerëzve, të ngulur përpara ekraneve, mbi atë dosje në hetim që implikon drejtpërdrejt Sali Berishën dhe klanin e tij, por për mënyrën e reagimit, sidomos të këtij të fundit, ndaj kërkesës së opozitës politike që ai t’i përgjigjej pikërisht në Kuvend disa pyetjeve shumë konkrete që kishte formuluar grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
Pra, ajo që dihej dhe pritej të ndodhte ishte egërsia, fyerja, cinizmi, presioni, kërcënimi dhe poshtërimi, me të cilat do t’u vërsulej, si zakonisht, Kryeministri kundërshtarëve të tij (madje, po të lindte nevoja, edhe ‘deleve të zeza’ brenda grigjës së vet), që guxonin të zinin n’gojë për të keq emrin, sipas Kryetarit të Qeverisë, fort të nderuar dhe fort të lumturuar të atij vetë. Epitetet përçmuese që ai përdori pa kursim, nuk përbëjnë ndonjë risi në jetën tonë parlamentare dhe opinioni ynë tashmë është familjarizuar me to, aq sa një pjesë e tij i përdor dita-ditës për të sharë e përdhosur një pjesë tjetër. Dihej, gjithashtu, që Sali Berisha nuk do të rrinte pa hyjnizuar arritjet e qeverisjes së vet, duke iu kthyer e rikthyer disa herë shifrave false që i servirin ‘demkat’ e tij, për t’u bërë përherë e më i mërzitshëm, përherë e më i neveritshëm.
Por, ajo që nuk dihej dhe nuk pritej ishte se, ndoshta për herë të parë gjatë kësaj legjislature, në mënyrën më brutale Kryeministri i mbyti deputetët dhe telespektatorët mbi 2 orë me dallgë llomotitjeje, pa cekur fare asnjë nga pyetjet e opozitës, që i qëndronin mbi skrivaninë e punës qysh tri javë më parë dhe që posaçërisht për të cilat zhvillohej ajo seancë plenare. Sikush në atë sallë dhe jashtë saj mbeti pa gojë, duke vënë në dyshim edhe kujtesën e vet rreth rendit të ditës së Kuvendit. Ndërsa dikush tha që, me sa dukej, në këtë pozicion u gjend edhe Kryetarja e Kuvendit, përderisa nuk e ndërpreu Kryeministrin asnjëherë të vetme, për t’i kujtuar arsyen përse ishin mbledhur.
Pas kalimit të hutimit të çasteve të para dhe të tërë natës së 3 nëntorit, nga e gjithë ajo që ngjau në Kuvend shumëkush provoi edhe një herë në vetvete, por më dridhshëm e më mprehtësisht një ndjenjë të thellë pesimizmi për fatet e të ardhmes së afërt të demokracisë në vendin tonë të vogël, mes njerëzve tanë të varfër. Sepse, pas tentativave intensive dhe veprimeve të njëpasnjëshme të këtij Kryetari të qeverisjes sonë të mjerë, për të vënë nën thundrën e vet të gjitha institucionet e pavarura, duke i hequr vizën parimit themelor të shtetit të së drejtës: chack and balance (ndarje dhe balancim i pushteteve), tani i vuri praktikisht shqelmin edhe legjislativit, Kuvendit të Shqipërisë, pa të cilin vetë Sali Berisha nuk do të kthehej në krye të pushtetit, pas atyre që ka bërë.
Po t’i hedhim një vështrim të shkurtër rilindjes së parlamentarizmit shqiptar, që nga viti 1991 e këtej, mund të dallohen një sërë të metash dhe dobësish, të cilat janë bërë shkak, veç të tjerash, edhe për shtesa e ndryshime të shpeshta. Veçanërisht politizimi i skajshëm dhe mungesa e tolerancës kanë çuar shpesh e shpeshherë në ballafaqime të ashpra, të shoqëruara pothuajse gjithnjë nga diskutime të nxehta me mungesa të theksuara argumentesh. Por, nëse mbi rreth 15 vjet më parë do të dukej pretendim jo realist të pritej që parlamenti shqiptar, i hapur kah debatit të vërtetë politik pas një heshtjeje 70 vjeçare, të bëhej menjëherë tempulli i demokracisë liberale, tashmë janë krejt të pajustifikueshme pengesat që lindin prej lloj–lloj faktorëve. Aq më tepër, kur këta faktorë lindin nga mendësi anakronike totalitariste të një mendjeje të sëmurë, që aksidentalisht hipi në fronin e pushtetit dhe synon t’i imponohet edhe gjithë trupës legjislative të vendit.
Dihet mirë që demokracitë moderne mbështeten kryesisht në tri shtylla të parlamentarizmit: në procedurat zgjedhore; në transmetimin e pushtetit me anë të përfaqësimit; në qeverisjen e kufizuar të shumicës. Nga literatura bashkëkohore e kësaj fushe mësohet se, këtë termin e fundit, pra ‘qeverisje e kufizuar e shumicës’, politologu dhe juristi i shquar Xhovani Sartori e konsideron plotësisht të përligjur se, duke vendosur të drejtën absolute të shumicës për të vendosur mbi pakicën ose pakicat, fituesi i parë i një ballafaqimi demokratik ka rrezik që të uzurpojë pushtet të pakufizuar dhe ta shndërrojë veten në fitues të përhershëm. Po të jetë kështu – shprehet Sartori – një demokraci nuk ka të ardhme si e tillë dhe pushon së qeni demokraci, ngaqë e ardhmja e një demokracie qëndron në mundësinë e shndërrimit të shumicës në pakicë dhe, në të kundërtën, të pakicës në shumicë. Prandaj, parimi i shumicës së kufizuar, domethënë i një qeverisjeje të shumicës që respekton të drejtat e pakicës, nuk mund të mos jetë parim bazë i demokracisë. Aq më tepër duhet konsideruar i tillë ai, po të merret parasysh që gjatë historisë së njerëzimit, madje edhe asaj të kohëve moderne, nuk kanë qenë të pakta rastet kur shumicat, qofshin ato fetare apo etnike, por edhe ato politike, në përgjithësi shumicat si numër, efektivisht kanë persekutuar pakicat, deri në shfarosjen e tyre.
Përcaktimi i tipareve të demokracisë parlamentare bëhet në çdo rast mbi bazën e disa parimeve universale, që pasqyrohen në një varg dokumentesh ndërkombëtare, që nga Karta e Kombeve të Bashkuara, nga Akti final i Konferencës së Helsinkit etj deri te i ashtuquajturi Traktat i Kopenhagenit, te Karta e Parisit për një Europë të re etj, etj, në të cilat formulohen qartazi kërkesat për ndërtimin e forcimin e shtetit të së drejtës dhe të demokracisë pluraliste bashkëkohore. Këto dokumente i ka ratifikuar edhe Republika e Shqipërisë dhe, si të tilla, ato duhet të jenë detyrimisht dhe plotësisht të zbatueshme edhe te ne. Kërkesat e tyre, që konsiderohen si kritere të pranuara universalisht, nuk janë të pakta. Por, në mjaft akte multinacionale tërhiqet vëmendja sidomos në disa prej tyre me karakter më të përgjithshëm, ndërmjet të cilave dallohen, veç të tjerash, edhe kërkesa për një formë qeverisjeje e tipit përfaqësues, ku pushteti ekzekutiv përgjigjet përpara parlamentit të zgjedhur dhe trupës elektorale; ndarja e qartë e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, duke respektuar pavarësinë dhe kompetencat e secilit; detyrimi i qeverisë dhe i autoriteteve publike në përgjithësi për t’iu konfirmuar kushtetutës dhe për të vepruar në përputhje me ligjin; ndarja e qartë ndërmjet shtetit dhe partive politike, duke mos lejuar që këto të fundit të përzihen me të parin.
Përballë këtyre kritereve demokratike shënohen prerazi edhe ato të shtetit totalitar, mes të cilave spikat qenia e një partie të vetme e kontrolluar nga një grup oligarkik, i cili ka në krye një udhëheqës zakonisht me fuqi diktatoriale. Më thoni, të dashur lexues, a nuk i përgjigjet situata e sotme e shtetit tonë këtij kriteri, së paku reminishencave të tij?! E pra, dallimi ndërmjet këtyre ekstremeve – demokraci e plotë dhe diktaturë totalitare – ka sigurisht shkallëzime të ndryshme. Por ato përcaktohen jo aq nga parimet e shpallura (siç bën një e dy me tepri të tejskajshme Sali Berisha) se sa nga zbatimi i tyre real. Prandaj, në mos dëshirojmë të kthehemi dhe të mbetemi mbrapa është e domosdoshme të lexojmë me kujdes nëpër rreshtat (dhe pas tyre) të formulimeve me gjuhë diplomatike të ndërkombëtarëve, siç është, për shembull, ai për Progres – Raportin e fundit të Komunitetit Europian mbi ecurinë e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit të BE me Shqipërinë. Siç është, gjithashtu, edhe deklarimi i para disa ditëve në një emision televiziv i Ambasadorit amerikan në Tiranë, që i quajti zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm me vlera jetike për ne.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›