Opozita siriane njofton për 200 të ekzekutuar të gjetur në Deria

Sipas opozitës, viktimat e zbuluara në qytetin e Derias ishin ekzekutuar të gjitha gjakftohtësi. Një raportim i pakonfirmuar foli për mbi 200 trupa të zbuluar nëpër banesa, vendstrehime dhe bodrume të ndryshme
Aktivistët e opozitës siriane lajmëruan dje se me dhjetëra trupa të pajetë u gjetën pranë një qyteti në afërsi të kryeqytetit Damask, në atë që përbën masakrën e radhës së trupave të presidentit Bashar al-Assad. Sipas opozitës, viktimat e zbuluara në qytetin e Derias ishin ekzekutuar të gjitha gjakftohtësi. Një raportim i pakonfirmuar foli për mbi 200 trupa të zbuluar nëpër banesa, vendstrehime dhe bodrume të ndryshme. Mediat ndërkombëtare e kanë të pamundur të verifikojnë vërtetësinë e këtij lajmi, për shkak të mungesës së aksesit në zonë. Megjithatë, Televizioni Shtetëror Sirian deklaroi se “Deriaja është pastruar nga mbetjet e fundit të terrorizmit”.Lajmi për masakrën e tmerrshme në Deraja vjen pas lëshimit të një ofensive të gjerë frontale të ushtrisë së rregullt mbi pozicionet e kryengritësve në qytet ditën e shtunë. Ofensiva nisi pas dhjetë ditësh bombardimi intensiv, që dobësuan dukshëm pozicionet e rebelëve, të shpartalluar më pas nga ndërhyrja e vendosur e ushtrisë. Besohet se të ekzekutuarit ishin robër lufte dhe civilë. Ndërkohë, presidenti i Sirisë, Bashar al-Asad, ka deklaruar dje se Siria do të mposhtë atë që ai e ka cilësuar si “komplot të huaj kundër vendit”. “Ajo çfarë po ndodh tani, nuk synon vetëm Sirinë, por tërë rajonin”, transmeton agjencia shtetërore SANA deklaratën e Asadit.Ai i ka bërë këto komente në Damask, gjatë takimit me kreun e Komisionit iranian për siguri kombëtare dhe politikë të jashtme, Aladin Borujerdi.
Aktivistët thonë se forcat siriane të përforcuara me tanke dhe helikopterë kanë filluar sulme të reja në qytetin e Aleppos dhe në lagjet periferike të Damaskut, në përpjekje për të shtypur rebelët. Organizata e opozitës “Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut” thotë se rreth 40 vetë, shumica e tyre civilë, janë vrarë në protestat e sotme anti-qeveritare në mbarë Sirinë. Presidenti Bashar al-Assad ka fajësuar terroristët e përkrahur nga të huajt për shumicën e dhunës që e ka pushtuar vendin gjatë 18 muajve të fundit. Sot, agjencia shtetërore e lajmeve SANA tha se forcat e armatosura kanë vrarë një numër të paspecifikuar “terroristësh” në Aleppo dhe kanë shkatërruar 7 automjete të pajisura me armatime. Fuqitë perëndimore i kanë bërë thirrje për dorëheqje zotit Assad, por presidenti sirian vazhdon të ketë mbështetjen e Iranit.
Rishfaqet zëvendëspresidenti sirian/Zëvendëspresidenti i Sirisë, Faruk al-Shara, ka bërë paraqitjen e parë publike që nga mesi i korrikut, duke qetësuar zërat se ka braktisur regjimin. Gazetarët thonë se al-Shara ka zbritur nga makina, për të ecur drejt zyrës së tij, ku do të takonte kreun e Komisionit iranian për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme, Alaedin Borujerdi. Al-Shara nuk ka folur për mediat. Për herë të fundit, ai është paraqitur në publik më 18 korrik, në një funeral të disa zyrtarëve të lartë, të vrarë nga shpërthimi në Damask. Më vonë ishin përhapur thashethemet se al-Shara ka braktisur regjimin e presidentit Bashar al-Asad dhe se është larguar drejt Jordanisë.