E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita: Protestat do vazhdojnë. PD: Para ligjit autori i 21 Janarit

TIRANE- Opozita e Bashkuar u shpreh sot nuk do të reshtë protestat masive. "Protesta kanë një sens, janë masive, numri është ajo që vendos gjendjen. Do të jenë masive”, u shpreh sot Spartak Ngjela ne emer te Opozites se Bashkuar.
“Opozita e bashkuar mendon dhe njofton që kjo do jetë pjesëmarrje e protestave paqësore në Shqipëri për ndryshimin e një gjendje tiranike pa institucione ku kërcënohet presidenti ku kërcënohet prokurori i përgjithshëm ku vritet populli. Keni parë ndonjë kryeministër perëndimor të kërcënojë presidentin, ka pasur. Po ka qenë kancelari gjerman në vitet 30- të, asnjëherë tjetër në perëndim. Protesta, derisa të clirohen institucionet nga uzurpimi dhe të fitohet liria.
Ngjela në emër të Opozitës së Bashkuar deklaroi sot se tubimi i djeshëm ishte një hap drejt lirisë në Shqipëri dhe një hap gjigand drejt perëndimit. Ngjela theksoi se dje shqiptarët u sollën po aq të qytetëruar e kulturuar sa shtetasit evropianë.

“Opozita e bashkuar e konsideron ditën e djeshme si një hap normal të shqiptarëve drejt lirisë por ama një hap gjigand të Shqipërisë drejt perëndimit”.

“Gjithë bota pa 200 mijë të cilët në fakt ishin 200 mijë burra dhe gra shteti përballë një karrocier me karrocë pa kalë, ky që është kreministri që s’ka lidhe fare me ta. Dje është dëshmuar se shqiptarët janë po kaq të qytetëruar sa popujt e përëndimit. Ata që nuk e kanë ditur më lejoni t’u them se shqiptarët janë të gjithë si ata që demonstruan sot në shesh me përjashtim të një njeriu që nuk është si ata, ky që keni kryeministër”, u shpreh sot Ngjela.

PATOZI: RAMA PERGJEGJES I 21 JANARIT
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi ka deklaruar sot se manifestimi paqësor i ditës së djeshme nga PS, tregon përgjegjësinë e kreut të saj për ngjarjet e 21 janarit.
"Cdo ditë që kalon e bën më të qartë përgjegjësinë e Edi Ramës për dhunën para selisë së qeverisë. Rama, me synimin e tij për t’u bërë kryeministër, mblodhi grupe kriminale në Tiranë. Ai i coi njerëzit atje me pistoleta, thika dhe bomba molotov”, ka deklaruar Patozi.

“Kryesocialisti Edi Rama është përgjegjësi për cënimin e sigurisë të realizuar nga demostruesit në 21 janar duke bllokuar Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kreu i PS është përgjegjësi për cënimin e sigurisë të cilët asnjë nuk e ka pasur për borxh ato skena barbarie”, vijoi ai me tej.

Patozi theksoi se kryeorganizatori i pucit mbetet, Edi Rama duke shtuar se Komisioni i posacëm parlamentar që po heton ngjarjen e së premtes së javës së kaluar do të zbardhë të vërtetën dhe do t’u japë organizatorëve të pucit goditjen e merituar.
“Mazhoranca legjitime do të zbardhë gjithcka. Përgjigjia institucionale ndaj kryeorganizatorit do të jetë fatale për të. Kjo mazhorancë ka për detyrë të caktivizojë synimet për marrjen e pushtetit me dhunë”, ka theksuar Patozi, i cili ka sulmuar edhe institucionet.

Më tej, ai u ndal dhe tek mijëra protestues të moshave të ndryshme, të cilët u vendosën para kryeministrisë, për të cilën jo vetëm dëmtuan rëndë imazhin e një vendi duke treguar se nuk ka lidhje me Europën. “Rama është përgjegjës për dëmtimin rëndë të imazhit të një vendi anëtar të NATO-s. Me manifestimin e djeshëm, kryeorganizatori i pucit nuk bëri gjë tjetër vecse mori përsipër përgjegjësinë për 21 janarin”, ka pohuar Patozi.
Patozi dhe njehere theksoi se ky ishte "nje puc" shteti i paster.
"SHISH nuk kishte asnjë të dhënë për pucin, ndërkohë që për të flisnin edhe pastrueset e rrugëve. Ndërkohë, vetëm pak orë pasi puci dështoi, prokuroria iu turr gardës dhe jo organizatorëve të tij, për të vajtur më pas tek prishja e marrëveshjes, duke vendosur të arrestonte gardistët, të cilët duhet vetëm të merreshin në pyetje. Ne kemi inkurajuar cdo hetim, por më e rëndësishme është që të zbërthehen elementët e organizimit të grushtit të shtetit”, ka nënvizuar Patozi, duke shtuar më tej se nuk ka qenë mazhoranca ajo që ka shmangur dialogun me opozitën.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Ngjela: Tubime hap drejt perëndimit, nuk reshtim protestat masive VIDEO: Patozi: Rama përgjegjës i 21 janarit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›