E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita: Të sigurohet zbatimi i ligjit

Autori i Lajmit: red.
Opozita ka mbështetur projektligjin më të ri të Ekzekutivit “Për administrimin e objekteve të përbashkëta në ndërtesat e banimit”. Por edhe pse është shprehur parimisht dakord ndaj këtij drafti gjatë diskutimit të djeshëm në Komisionin e Ligjeve, ajo kërkoi garanci për zbatimin e tij. Deputeti socialist, Bashkim Fino pohoi se propozimi është shumë i mirë dhe prek çdo banor pallati por pikërisht për këtë arsye duhet të sigurohet zbatimi i tij. “Ligji do të adoptohet por a do të jetë i zbatueshëm? Ka shumë banorë të cilët kanë një pallat por nuk kanë mundësi të paguajnë taksa shtesë për mirëmbajtjen e tij. Si do të veprohet në këto raste?”, - pohoi deputeti socialist. Fino tha se po kaq problematike janë dhe pallatet e vjetra tek të cilat duhen ndërhyrje por sipas tij, shpenzimet financiare nuk mund të mbulohen nga bashkia dhe aq më pak me kredi bankare. Ai kërkoi ndërkohë një sensibilizim të madh të opinionit publik për të kuptuar dhe për të vënë në zbatim këtë ligj. Ndërkohë që relatori i projektligjit, deputeti socialist, Besnik Dervishi ngriti një sërë shqetësimesh si mungesa e një zgjidhjeje për statusin e territorit të mbetur jashtë koeficientit të shfrytëzimit pas vitit 1993, mungesa e një zgjidhje për hapësirat e përbashkëta të cilat shfrytëzohen nga ish-pronarët apo problemet për banesat që janë në proces legalizimi. Për këto vërejtje Drejtoresha e Politikave dhe Strehimit në Ministrinë e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Doris Andoni sqaroi se ligji rregullon vetëm ato territore që ngelen të shfrytëzueshëm për bashkëpronësinë dhe jo si pronë publike. Përsa i përket hapësirave që shfrytëzohen nga ish-pronarët ajo sqaroi se në momentin që pronat i janë kthyer pronarit dhe janë të regjistruara në ZRPP si pronë individuale nuk është kompetencë e këtij ligji të rregullojë këtë marrëdhënie pasi ligji trajton vetëm ato pjesë të pronësisë që janë caktuar si pjesë të bashkëpronësisë. “Nëse ato janë pjesë e territorit që i janë kthyer pronarit nuk është ky ligj që merret me të. Është organi i qeverisjes vendore që përcakton destinacionin e atyre sipërfaqeve që kanë ngelur jashtë pronësisë së bashkëpronarëve”, - tha ajo. Ndërsa socialisti Pandeli Majko tha se e pazgjidhur mbetet çështja se kush do ta paguaj tarifën për ata banorë që jetojnë në shtëpitë e ish pronarëve. Komisioni i Ligjeve do të vazhdojë diskutimin nen për nen në mbledhjen e ardhshme.
Ky lajm është publikuar: 19/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›