E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeni i bashkimit

Nga Bardh Frangu, “Express”

Bora e madhe dhe qarkullimi i vështirë nuk i ka penguar njerëzit që të vijnë edhe nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia për të ndjekur të dielën përleshjen e qenve në stadiumin e qytetit “Ismet Shabani”, në Ferizaj. “Jam adhurues i pasionuar i qenit të Sharrit. Kur dëgjoj se diku në rajon organizojnë përleshje të qenve të kësaj race, nuk mund të mos shkoj. Kjo traditë është edhe te ne, por ne këto gara i organizojmë fshehurazi, sepse janë të ndaluara nga shteti”, - shprehet Gjoko Dimovski nga Maqedonia, i cili bashkë me një mik të tij nga meraku xhironte edhe me kamerë përleshjen e qenve.

“Verës ka pasur njerëz që kanë ardhur edhe nga Rusia. Qeni i Sharrit njihet në botë si qen luftarak, por këto dy dekadat e fundit ka ndodhur një shartim i tmerrshëm i kësaj race me qenë aziatikë dhe nga Kaukazi. Këto gara që kemi organizuar, kanë për qëllim që të afirmojnë racën e pastër të qenit të Sharrit dhe të dëshmojmë se kjo racë është e jona dhe vetëm e jona”, - thotë Agim Hajdari, një nga organizatorët. Ai për këtë garë ka marrë leje edhe nga komuna, edhe nga policia. Kështu mendon edhe Sylejman Sylejmani, organizatori tjetër. Ai me vete kishte marrë qenin e tij të racës së pastër të Sharrit, për ta përballur me një qen të racës së përzier nga Prishtina. Këta dy organizatorë thonë se Maqedonia ka bërë pullë postare me qenin e Sharrit, ndërsa Serbia ka bërë histori, duke e afirmuar nëpër botë si qen të vetin. Por ata janë këmbëngulës që pas bërjes së shtetit të Kosovë, duhet t’i tregohet botës së ky qen është Made in Kosovo dhe se prejardhjen e ka nga këtu.

Rreth 500 veta të pranishëm që kishin paguar biletën nga 2 euro, numër ky që rrallë tubon ekipi i futbollit “Ferizaj”, - kanë qenë dëshmitarë të një gare të jashtëzakonshme ndërmjet ‘Balushit’, racë e pastër e qenit të Sharrit nga Ferizaj, me pronar Sylejman Sylejmanin dhe ‘Rudit’ nga Prishtina, racë e përzier, që mbante epitetin e nënkampionit të Kosovës, me pronar Sadik Çupevën. Pas një përleshjeje të përgjakshme prej rreth 20 minutash, qeni i Sharrit ka dalë fitues dhe ky fakt ka gëzuar gjithë të pranishmit, veçmas pronarin e tij, i cili në të ka investuar shumë për këtë fitore.

Edhe tri luftërat e tjera kanë dëshmuar se qeni i Sharrit është vërtet qen luftarak dhe tipik për gara të tilla.

“Shikoni, nga këta tetë qen sa u ndeshën mes veti, nuk janë të gjithë racë e pastër. Raca e pastër e qenit të Sharrit, siç ishte ‘Balushi’, dëshmon se nuk hamendet në përleshje. Edhe unë dua të ndihmoj në kultivimin e racës së pastër”, - shprehet Shaip Mujota, nga Mollopolci i Shtimes, i cili është i njohur për kultivimin e qenit të racës së Sharrit.

“Keqpërdorime me qenin e Sharrit ka edhe ndër ne dashamirët e qenve. Ka njerëz që e kultivojnë për të bërë tregti me të, apo për të vënë baste”, - thotë pronari i qenit fitues, Sylejman Sylejmani, të cilit ia kishin ofruar edhe 4 mijë euro për t’ia blerë qenin menjëherë pas fitores.

“Deri në 11 mijë euro është shitur një qen i garave të tilla. Deri në 30 mijë euro janë vënë baste për gara të tilla”, - thotë Agim Hajdari, njëri nga organizatorët. Ai tregon se është i vendosur që të formojë një shoqatë në nivel të Kosovës për ruajtjen dhe kultivimin e qenit të Sharrit. “Ferizaj ka traditë në ruajtjen e qenit të Sharrit, ndaj edhe duam t’i gjejmë mënyrat për ta ruajtur dhe kultivuar”, - shprehet Hajdari, i cili thotë me siguri të madhe se qeni i Sharrit nuk sulmon askënd jashtë oborrit të shtëpisë.

“Ndërsa e përgatis qenin për gara, e ushtroj duke ndjekur veturën pas. Ashtu i lirë vrapon pas veturës dhe nuk i lë përshtypje asnjë njeri, po as qentë endacakë që i sheh në rrugë. Qeni i Sharrit i di me saktësi detyrat e veta”, - rrëfen me krenari për qenin e vet, pronari i ‘Baloshit’, Sylejman Sylejmani, i cili për ta ruajtur dhe kultivuar qenin e racës së pastër të Sharrit, është mbështetur edhe në pedigrenë e tij. ‘Baloshi’ del ta ketë për baba kampionin absolut të Kosovës, që për një dekadë nuk ka dalë qen që ta mundë.

I pranishëm në gara ishte edhe veterineri Skyfter Ajvazi. “Pas këtyre përleshjeve, qentë dalin me lëndime të ndryshme, por kryesisht të sajueshme shpejt. Zakonisht kërkohet ndonjë ndërhyrje për qepje plagësh”, - thotë veterineri Ajvazi, i cili ka shumë respekt për kultivuesit e qenit të Sharrit, të cilët vazhdimisht i vaksinojnë qentë dhe u përmbahen kontrolleve të rregullta. Edhe ai e pranon se qenin e Sharrit mund ta mbajnë dhe kultivojnë vetëm personat me gjendje të mirë materiale, sepse shpenzimet për të janë shumë të mëdha.

“Vetëm këta dy muajt e fundit, ndërsa e kam përgatitur për garë, ‘Baloshi’ ka ngrënë tre kuaj, të cilët i kam blerë në treg me çmim mbi një mijë euro. Kur i llogarit edhe shpenzimet e tjera të përgatitjes për garë, del që ky është një sport shumë i shtrenjtë”, - thotë Sylejmani nga Ferizaj.

Jo vetëm organizatorët, por edhe gjithë dashamirët e qenve, të pranishëm në këtë garë të madhe, thanë se do të ishin shumë të gëzuar sikur një ditë të shihnin qenin e Sharrit në pulla postare, duke shëtitur nëpër gjithë botën me shenjën e Republikës së Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›