E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Uidhers nuk ka gisht te “Gërdeci”

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Ambasada e SHBA në Shqipëri dhe titullari i saj, Xhon Uidhers, nuk janë të implikuar në aferat e dyshuara të trafikut të municioneve dhe nuk ka asnjë hetim lidhur me ta. Ky është vendimi që ka shpallur Departamenti i Drejtësisë. Robert Ud, zëdhënës në detyrë i ambasadës së SHBA në Tiranë, kujtoi në një komunikatë për media se në qershor të vitit 2008, në media u shfaqën dyshime se ambasadori i ShBA, Xhon Uidhers, dhe pesë anëtarë të tjerë të ekipit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, në njëfarë mënyre ishin të përfshirë në përpjekje për të fshehur fakte lidhur me shitjen e municioneve me origjinë kineze për Departamentin e Mbrojtjes të ShBA, në shkelje të ligjeve të ShBA. Në atë kohë, çështja iu paraqit Inspektorit të Përgjithshëm për shqyrtim”, - evidentoi z.Ud. Ai citoi se Inspektori i Përgjithshëm ka shqyrtuar të gjitha faktet e vëna në dispozicion dhe nuk gjeti asgjë që mund të konfirmonte ndonjë pretendim penal apo lloji tjetër në lidhje me punonjësit e Departamentit të Shtetit. “Departamenti i Drejtësisë ka informuar Zyrën e Inspektorit të Përgjithshëm që këta gjashtë punonjës të Departamentit të Shtetit në ambasadën në Tiranë nuk janë shënjestra apo subjekte hetimi”, - sqaroi zëdhënësi Ud. Ai shtoi se Departamenti ka pohuar se mirëpret deklaratat e bëra nga Departamenti i Drejtësisë dhe Inspektori i Përgjithshëm dhe e konsideron këtë çështje të mbyllur. Kurse tha edhe se “ambasadori Uidhers dhe ekipi i tij punuan saktësisht në atë mënyrë siç do të prisnim të punonin. Jemi krenarë dhe mirënjohës për shërbimin e tyre”.
Deklarata e Uidhersit
Ndërkohë ka mbërritur menjëherë dhe komenti nga ambasadori Uidhers: “Jam mirënjohës që Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Mbrojtjes tani i konsiderojnë pretendimet kundër meje dhe zyrtarëve të tjerë në ambasadën në Tiranë të mbyllura”, - ka deklaruar z.Uidhers. Ai tha edhe se “këta zyrtarë: Stiven Kristina, Patrik Leonard, Paula Thide, Viktor Majev, dhe Robert Njusëm - janë ndër diplomatët më të shkëlqyer që kam njohur”, - kurse shtoi: “Siç thashë vitin e kaluar, “një shqyrtim i drejtë i fakteve do të çojë, në fund, tek e vërteta”. Uidhers theksoi se “jam i kënaqur që e vërteta tani është e qartë dhe që këtyre zyrtarëve të shkëlqyer u janë njohur kontributet ndaj shërbimit të vendit tonë”. Në qershor të vitit 2008, në media u shfaqën pretendime se ambasadori i ShBA, Xhon Uidhers, dhe pesë anëtarë të tjerë të ekipit të ambasadës së ShBA në Tiranë, në njëfarë mënyre ishin të përfshirë në përpjekje për të fshehur fakte lidhur me shitjen e municioneve me origjinë kineze për Departamentin e Mbrojtjes të ShBA, në shkelje të ligjeve të ShBA.

Akuzat ndaj ambasadorit Uidhers
Nëpërmjet një letre drejtuar sekretares së Departamentit të Shtetit, zonjës Kondoleza Rajs, në emër të Kongresit Amerikan, kryetari i Komisionit Mbikëqyrës të Reformave dhe Sigurisë, zoti Henri A.Uaxman, akuzoi ambasadën amerikane në aferën e armëve dhe në mashtrimin që i është bërë shtetit amerikan. Akuzat e Uaxman implikojnë ambasadorin amerikan si bashkëpunëtor i ministrit të Mbrojtjes, Mediu, në fshehjen e provave që tregonin se qeveria shqiptare po furnizonte Pentagonin me fishekë të skaduar kinezë. Gjithashtu, kjo letër kishte për bazë dëshmitë e majorit Larry Harrison, shefi i zyrës për bashkëpunimin në mbrojtje në ambasadën amerikane në Shqipëri. Majori Harrison përshkruan momentin sesi ambasadori amerikan, në bashkëpunim me ministrin e Mbrojtjes, Mediu, dhanë urdhër për të zhdukur provat e fishekëve amerikanë që paketoheshin në Gërdec. Kjo letër akuzoi se korrupsioni dhe krimi i Gërdecit fshihej edhe brenda ambasadës amerikane, ku ambasadori i saj qenkërka protagonist, aktor dhe faktor i kësaj loje të ndyrë ku përveç jetës së njerëzve janë luajtur edhe aferat e miliona dollarëve.
Ky lajm është publikuar: 19/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›