Rriten tensionet në Ballkan
Në rast se dikush e mendon të mbaruar çështjen e Kosovës, një debat i ashpër në OKB këtë javë na kujtoi se pas çdo shfaqjeje të butë të Ballkanit së jashtmi fshihen pengje të errëta dhe të tendosura që mund të nxisin provokime. Pas një fillimi të mirë, dekada e tanishme po shkon drejt një fundi të ngjeshur me përplasje në gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky është një problem i madh për rajonin dhe një problem edhe më i madh për Evropën.
Grindja shpërtheu gjatë debatit të Këshillit të Sigurimit për progresin e Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë një vit më parë. Skënder Hyseni, ministri i Jashtëm i Kosovës, akuzoi Beogradin se ndërhyn në zonën veriore, ku jetojnë shumë serbë. “Mungesa e rendit, me përkrahje të plotë nga udhëheqja e Beogradit, e ka kthyer këtë pjesë të Kosovës në një strehë parajsore për gjithfarëlloj kriminelësh dhe veprimtarie ekonomike të paligjshme”, - tha ai.
Boris Tadiç, presidenti i Serbisë, u kundërpërgjigj. “Serbia, së bashku me një numër shtetesh anëtare të BE, përballet me probleme të shumta të krijuara nga veprimtaria e mafies shqiptare në Kosovë, e specializuar në trafik narkotikësh, qeniesh njerëzore dhe armësh”, - tha ai. “Serbia, - vazhdoi ai, - nuk do ta njohë “kurrë” pavarësinë e Kosovës. Është e qartë për këdo se 13 muaj pas shpalljes së paligjshme të pavarësisë Kosova nuk është shtet.”
Nga këndvështrimi i OKB kjo deklaratë e tij është e saktë ligjërisht; kundërshtimi i Rusisë e ka frenuar OKB të njohë shtetin e Kosovës. Sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999, Kosova mbetet nën administrim ndërkombëtar. Edhe Evropa është e përçarë. Pesë nga 27 anëtaret e BE nuk e njohin Kosovën, duke e parë si një precedent të rrezikshëm. Në gjithë botën vetëm 56 vende kanë lidhje të hapura me të.
Të paepur, liderët kosovarë po ngrenë zërin kundër statusit të “protektoratit”, megjithëse jo kundër ndihmës së BE dhe përkrahjes për sigurinë që i ndihmon në forcimin e shtetit. “Autoritetet e Kosovës... e kanë përsëritur vazhdimisht muajt e fundit se Rezoluta 1244 nuk vlen më dhe institucionet e Kosovës nuk kanë detyrime ligjore për t’iu nënshtruar”, - thuhej në Raportin e progresit të OKB.
Përpjekjet për të fituar të drejtat e sovranitetit nënkuptojnë që Prishtina pas ca kohësh mund të refuzojë krejtësisht autoritetin e OKB. Një ndërlikim tjetër është lëvizja e Serbisë, e përkrahur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB, për të paditur në Gjykatën Ndërkombëtare pavarësinë e njëanshme të Kosovës. Siç theksoi edhe profesori i universitetit të Birminghamit, Judi Batt, në një artikull për “Fride”, qendër studimesh me bazë në Madrid, qëllimi i Beogradit “ishte frenimi i qartë i njohjeve të mëtejshme të Kosovës.”
Frenimi ka anën negative edhe për Serbinë. Ndërsa shpresat e saj për anëtarësim në BE mbahen peng i arrestimit të shumëpritur të të akuzuarit për krime lufte në Bosnjë, Ratko Mlladiç, Kosova përbën një pengesë tjetër të pakapërcyeshme. “As që mund të mendohet se BE do të pranojë anëtarësimin e Serbisë pa një marrëveshje funksionale dhe të qëndrueshme për të gjitha palët, përfshi Kosovën”, - tha Batt. Siç i tha njëherë i dërguari i SHBA, Richard Holbrooke, Beogradit: “Zgjedhja para jush është: Evropën ose Kosovën? Dhe nëse zgjidhni Kosovën, i humbisni të dyja.”
Çështjet e theksuara prej Kosovës shfaqen në gjithë Ballkanin, duke minuar progresin rajonal. Kërkesa e Kroacisë për anëtarësim në BE është vonuar nga një grindje e hidhur territoriale me Slloveninë; hyrja e saj në NATO, e parashikuar muajin e ardhshëm, mund të jetë një vonesë tjetër. Shpresat e Maqedonisë për anëtarësim janë venitur kryesisht për shkak të armiqësisë së Greqisë. Ndërsa aplikimi i Malit të Zi, i cili aplikoi në dhjetor, as nuk ka filluar nga procedurat. Në këtë rast, arsyeja kryesore duket se është ngurrimi i shteteve perëndimore evropiane që janë prekur nga rënia ekonomike për të pranuar vende relativisht të varfra.
Olli Rehn, komisioneri për Zgjerimin e BE, deklaroi kohët e fundit se forca tërheqëse e anëtarësimit të mundshëm në të ardhmen “mbetet fuqia e stabilitetit në Evropën Juglindore”. Por analistët e rajonit paralajmërojnë se integrimi mund ta humbasë fuqinë, ndërsa politikanët dhe votuesit e Ballkanit vazhdojnë të zhgënjehen nga anëtarësimi - dhe kjo mund të çojë në reagim antievropian, siç ka ndodhur në Turqi.
Në lidhje me mos-integrimin, Bosnja dhe Hercegovina mbeten në krye të listës së Ballkanit. Jo shumë ndryshe nga Kosova, krerët e republikës serbe gjysmë-autonome kërkojnë t’i jepet fund statusit të protektoratit ndërkombëtar të përcaktuar nga Marrëveshja e Paqes në Dejton që i dha fund luftës 1992-‘95 në Bosnjë. Ka fjalë për ndarje me Federatën myslimano-kroate (pjesa tjetër e Bosnjës dhe Hercegovinës), dhe për referendum për ndarjen. Si kudo, problemet ekonomike grumbullojnë tensionet politike.
Frika se Bosnja dhe Hercegovina mund të shpërthejnë, duke nxitur një trazim në të gjithë rajonin, është një arsye përse i dërguari i ri (ose “përfaqësuesi i lartë”), diplomati austriak, Valentin Inzko, do të marrë detyrën të enjten duke zgjatur periudhën e kontrollit ndërkombëtar. Por kjo është një masë e përkohshme. Por, si në rastin e Kosovës, përgjegjësia për Bosnjën dhe Hercegovinën do t’i kalojë BE aty nga fundi i vitit. Brukselit i falet që e shikon me frikë këtë barrë ballkanike shtesë.