Ja receta e kapitalizmit tim
Intervista e Silvio Berluskonit për të përditshmen spanjolle “El Mundo”
Ju jeni deklaruar gjithmonë një mbrojtës i madh i tregut të lirë dhe i kapitalizmit. Pas kësaj krize, a besoni më te kapitalizmi si sistemi ekonomik më i përshtatshëm apo mendoni se ka nevojë që të reformohet? Do të debatohet në Samitin e G8 në ishullin La Maddalena lidhur me këtë argument dhe do të bëhet një gjykim i kthjellët, duke parë se shumë konsiderojnë që tetë vendet më të pasura të botës kanë një përgjegjësi të madhe në këtë krizë...
Kapitalizmi mbetet sistemi më i mirë, në qoftë se krahasohet me ato sisteme të frymëzuara nga mendimi kolektivist që kanë dënuar popullsi të tëra në mjerim dhe në mungesën e lirisë. Por disa rregulla, sidomos në fushën financiare, duhen reformuar: do të debatojmë në Maddalena dhe gjykimin e kthjellët jemi duke e bërë. Një prej objektivave të presidencës italiane të G8 është që të fillojë një epokë bashkëpunimi dhe koordinimi midis vendeve të G8 dhe ekonomive emergjente, për të përcaktuar standarde etike e juridike të përbashkëta dhe rregulla të reja transparence, korrektese dhe integriteti të aktiviteteve ekonomike e financiare ndërkombëtare. Nuk është kapitalizmi në bankën e të akuzuarve, por degjenerimi i disa aspekteve të tregut të lirë. Pastaj duam të forcojmë dialogun Veri-Jug, duke reduktuar çekuilibrin midis vendeve të pasura dhe atyre të varfra. Në Samitin e G8 do të propozojmë Detax, një mekanizëm fiskal që u destinon vendeve në rrugën e zhvillimit një përqindje të së ardhurës fiskale dhe do të lançojmë një filozofi të re ndihmash që të përfshijë më shumë instrumente dhe më shumë aktorë, edhe privatë. Besoj në një model kapitalizmi të mbështetshëm të prirur nga mirëqenia, jo vetëm e brezave aktualë, por edhe atyre të ardhshëm. Në Itali, kemi adoptuar mënyra konkrete në mbështetje të më të dobëtëve: “bonuset” për familjet më të varfra dhe të shumta në numër, social card, fondin për të sapolindurit, uljet e shpenzimeve për çerdhet dhe transportet publike, fondet për lehtësimin e qirave, skonto fiskale për kreditë e shtëpive dhe një financim të madh për të ushqyer amortizatorët socialë në favor të punëtorëve që humbasin vendin e punës.
Ju keni fituar bindshëm në zgjedhjet e kaluara dhe popullariteti juaj në këtë moment fluturon në nivele stratosferike. Sipas jush, pse italianët ju duan kaq shumë?
Me krizën në zhvillim një konsensus midis 64 dhe 73 për qind është ndershmërisht i habitshëm. Nuk ka ku të shkojë përveçse të ulet! Italianët e kanë kuptuar se kjo krizë është globale, se nuk është përgjegjësi e qeverisë dhe se madje po bëjmë maksimumin, në sintoni me miqtë evropianë, për t'ia lehtësuar efektet, për t'u ridhënë besim familjeve e sipërmarrjeve dhe për të përgatitur ringritjen. Italianët më njohin që herët. Kanë besim tek unë, sepse kam qenë sipërmarrësi më popullor dhe më i lakmuar italian dhe kam lënë gjithçka për të vënë në dispozicion të vendit tim dhe të bashkëqytetarëve të mi përvojën time dhe aftësitë e mia. Qenë të lodhur nga llogjet e së majtës, donin fakte. Në më pak se dy muaj kemi zgjidhur tragjedinë e plehrave në Napoli e kemi ruajtur italiane kompaninë tonë kombëtare, Alitalia, kemi garantuar llogaritë publike me adoptimin e një financiareje 3-vjeçare që lobet nuk kanë arritur ta modifikojnë, kemi bërë të rifillojnë veprat e mëdha të bllokuara nga vetot ideologjike të së majtës, kemi reformuar shkollën dhe drejtësinë, kemi mbrojtur konsumatorët dhe kursimtarët nga kriza financiare dhe, së fundmi, i kemi kthyer vendit një rol prej protagonisti në skenën ndërkombëtare.
Ky është parlamenti i parë italian i pasluftës, në të cilin nuk ka asnjë komunist. Pastaj, disa ditë më parë Walter Veltroni, lider i partisë kryesore të qendrës së majtë, ka dhënë dorëheqjen. Si i interpretoni ju, një njeri i djathtë, motivet e krizës të së majtës italiane? Jeni i kënaqur të qeverisni pa opozitë?
Më vjen keq që më duhet t'u kundërshtoj. Unë nuk jam njeri i djathtë. Arsyeja e konsensusit që gëzoj në vend është se ideologjitë e vjetra nuk vlejnë më. Kush vazhdon me këmbëngulje t’u bëhet zëdhënës, ndëshkohet nga vota. Kemi qenë ne ata që kemi filluar reformat për ta ndryshuar Italinë me një program social ndër më të përparuarit. Në të kundërt, partitë e së majtës janë tërhequr në mbrojtje të privilegjeve, të korporatave dhe të politikës së vjetër, pa qenë në gjendje të interpretojnë nevojat e një vendi që ka evoluar, kurse ne kemi rilançuar bërthamoren dhe fushatën kundër antisemitizmit. E majta është akoma sot e nënshtruar ndaj shantazhit të fanatizmit ambientalist, do të humbiste kohë tjetër të çmuar përpara se të vinte dorë në emergjencën energjitike të vendit. Nën shantazhin e lokalizmave, nuk do ta kish zgjidhur asnjëherë problemin e plehrave. Nën atë të minorancave sindikale, nuk do ta pranonte kurrë kriterin e meritës në administratën publike dhe në shkollë. Veç kësaj, e përçarë praktikisht mbi të gjitha, nuk do ta kishte pasur kurrë kurajën për të marrë vendime të rëndësishme lidhur me tema vendimtare. Kriza e opozitës nuk ka si t'i pëlqejë njeriu, madje preokupon. Roli i pakicës në një demokraci është thelbësor dhe duhet ditur të ushtrohet në mënyrë konstruktive, por, fatkeqësisht kriza e opozitës italiane duket se do të zgjasë për shumë kohë.
Sipas jush, që keni thënë se keni dërguar në shtëpi njëri pas tjetrit shtatë eksponentë të qendrës së majtë, a ka ndonjë në qendrën e majtë që mund të jetë në lartësinë e bërjes së shefit të opozitës?
Jo shtatë, por tetë. Ishte edhe Renato Soru, lideri i fshehtë i Partisë Demokratike, i kandiduar për të qeverisur Sardenjën dhe të jetë në perspektivë lideri i saj, por ai është mundur në zgjedhjet lokale. Ju më pyesni, nëse ka ndonjë në lartësinë e duhur për të bërë liderin e opozitës. Ju bëj me dije se Partia Demokratike sapo ka zgjedhur një sekretar të ri....
Pse qeveria juaj ishte kaq e vendosur për ta penguar vdekjen e Eluanës? Ju keni thënë se Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin e shpëtimit të Eluanës për motive morale, por morali a nuk duhet të lihet mënjanë duke parë se është një gjë shumë subjektive?
Për babanë e Eluanës ishte e moralshme të lejonte që e bija e tij të shuhej. Pastaj drejtësia kishte vendosur që Eluanës mund t'i ndërpritej ushqimi dhe hidratimi artificial.
A nuk besoni se qeveria duhej ta respektonte këtë vendim në emër të parimit demokratik të ndarjes së pushteteve?
Një qeveri e zgjedhur demokratikisht ka të drejtën dhe detyrimin që të marrë vendime. Morali mund të jetë subjektiv, ligji jo. Sidomos lidhur me tema themelore si ato që implikojnë jetën dhe vdekjen, nuk mund të lihen boshllëqe normative, pasi është në këtë boshllëk që lind problemi. Magjistratura, në ndryshim nga parlamenti, nuk e ka pushtetin për të bërë ligje, por ka barrën dhe nderin që t'i zbatojë ato. Në qoftë se ka një boshllëk, detyra për ta mbushur atë me një ligj i takon parlamentit. Por, pasi ky ligj lidhur me “mbarimin e jetës” në Itali nuk ekzistonte, ne natyrisht që kemi çuar në parlament propozimin tonë, me lirinë për parlamentarët tanë që të votonin sipas ndërgjegjes së tyre. Do të doja të kujtoja se në rastin e Eluanës nuk është ndërprerë një kurë, por i është dhënë fund një tërbimi terapeutik. Thjesht, një femre të sëmurë donin t'i hiqnin ujin e ushqimet dhe këtu lindte nevoja dhe urgjenca e një mase të qeverisë që pastaj parlamenti do të miratonte apo refuzonte, dhe magjistratët ta zbatonin.
Sa ka peshuar opinioni i Vatikanit mbi këtë ndodhi?
Zgjedhjet e qeverisë italiane janë absolutisht autonome dhe kanë qenë të tilla edhe në këtë rast. Është e natyrshme që në një shoqëri të lirë, Kisha mund ta shprehë pikëpamjen e saj, njëlloj si të gjithë. Do të habitesha sikur të mos e bënte, sidomos kur janë në lojë disa vlera që për ne kristianët janë thelbësore. Fatkeqësisht, vërej që kritikët e qeverisë time i instrumentalizojnë deklarimet e Kishës duke i quajtur ndërhyrje, kur janë në sintoni me qeverinë dhe kritika krejtësisht legjitime, kur duket se divergojnë.
Një prej masave të para të miratuara nga qeveria e juaj ka qenë i ashtuquajturi “ligj Alfano”, i përcaktuar nga opozita si një ligj “ad personam”, i miratuar për të shmangur procesin Mills. Në fakt, disa ditë më parë një gjykatë e Milanos e ka dënuar avokatin Mills me 4 vjet e gjysmë burg pse ka qenë, sipas gjykatësve, i korruptuar prej jush. Kështu që, ju nuk mund të gjykoheni për këtë ndodhi. A nuk besoni se kryeministri duhet t'i nënshtrohet i pari drejtësisë?
Ligji ka lindur nga një nevojë e treguar nga vetë Gjykata Kushtetuese, domethënë nevojën për t'u lejuar posteve më të larta shtetërore që ta zbatojnë plotësisht dhe me qetësi mandatin e tyre të rëndësishëm. Në Itali, parimi i procesit të drejtë parashikon pjesëmarrjen e plotë në debat. Në një proces që zgjat 2 apo 3 vjet me një ritëm prej 2 apo 3 seancash në javë, është praktikisht e pamundur pjesëmarrja dhe mbrojtja për njerëz që kanë funksione të larta dhe impenjuese institucionale, mekanizmi është i mirënjohur në vende të tjera, përfshi Spanjën, ku ka të bëjë me parlamentarët dhe është shumë më i fortë se në Itali, ku procesi vetëm pezullohet. Në thelb, unë as nuk e kam njohur ndonjëherë zotin Mills dhe jam absolutisht i sigurt se do të lirohem nga akuza, kur procesi do të rifillojë. Shtoj se kryetari i trupit gjykues të asaj gjykate është një eksponent i njohur i majtë që është shprehur shumë herë kundër ligjeve të qeverisë tonë. Dyshimi mbi paanshmërinë e tij është legjitim. Fatkeqësisht, një pjesë e magjistraturës italiane është e politizuar dhe e përdor pushtetin e saj si armë të luftës politike ndaj kundërshtarëve, në veçanti kundër eksponentit të vetëm të qendrës së djathtë që mund të fitojë ndaj së majtës. Gjykatësit e politizuar të së majtës deri kanë tentuar të përmbysin rezultatin e votimit demokratik, duke ia arritur në vitin 1994 me një akuzë, nga e cila jam liruar plotësisht pas 10 vjet procesesh. Po kujtoj vetëm pak të dhëna: nga viti 1994 deri më 2006, 789 magjistratë janë marrë me Silvio Berluskonin me hetime dhe procese që kanë çuar në 587 vizita të Policisë Gjyqësore apo të Guardia di Finanza dhe në 2500 seanca, shumë më tepër se një rekord botëror! Konkluzioni: gjithmonë kam rezultuar i pafajshëm, pasi fatmirësisht gjykatësit e paanshëm janë akoma shumica.
Shumë janë ata që ju kritikojnë pse nuk keni thënë fjalë mjaftueshmërisht të qarta dhe të prera për dënimin e 20-vjeçarit fashist. Çfarë mendoni për atë periudhë dhe si i gjykoni këto kritika?
Partia e së cilës jam drejtuesi quhet “Popolo della Libertà” dhe është pjesë e familjes së madhe të demokracisë e të lirisë që është Partia Popullore Evropiane. Askush nuk mund të mendojë se unë kam ngurrime për sa i përket fashizmit dhe, në të vërtetë, nuk më rezultojnë kritikat, të cilave u referoheni ju. E njoh veten plotësisht në parimet e Kushtetutës tonë republikane dhe i kam mbrojtur në shumë raste. Ju kujtoj që Kushtetuta jonë parashikon procedurat e modifikimit për përshtatjen e saj ndaj kërkesave të reja të kohës. Kështu që, nuk më pasionon debati lidhur me të kaluarën. Italianët duhet të shikojnë përpara. Për shumë kohësh, në Itali kemi qëndruar të mbyllur brenda një kafazi kulturor, në një kundërvënie anakronike midis fashizmit dhe antifashizmit.
Politika italiane kundër emigracionit është kritikuar shumë nga eksponentë të qeverisë spanjolle. Në fakt, disa njerëz e kanë akuzuar qeverinë tuaj se mban qëndrime ksenofobe, sidomos kundrejt romëve. Si u përgjigjeni ju këtyre kritikave?
Politika jonë e emigracionit nuk është “kundër”, siç po thoni ju. Kemi respekt ndaj atyre që vijnë në Itali për të përmirësuar kushtet e jetesës së tyre dhe të familjeve të tyre, nëpërmjet një pune të ndershme, midis mijëra sakrificave dhe duke respektuar ligjet. Përkundrazi, kemi një qëndrim të prerë ndaj atyre që në Itali futen ilegalisht dhe jetojmë me krime e me batakçillëqe pa kurrfarë vullneti për t'u integruar. Realiteti është se fëmijët e huaj i frekuentojnë shkollat tona në një numër gjithnjë e më të madh, familjet e huaja gëzojnë një asistencë shëndetësore të plotë dhe qeveria ka caktuar fonde në favor të emigrantëve jo të rregullt. Qeveri të tjera, nuk e përjashtoj atë spanjolle, ndodhen të zëna me një emigracion ilegal shumë të fortë. Klandestinët e kthyer mbrapsht nga Spanja gjatë viteve të fundit kanë qenë dhjetëra-mijëra. Për sa u përket rumunëve, të cilët janë qytetarë evropianë, Franca ka përzënë me mijëra vetëm në vitin 2008. Po për të njëjtën periudhë, Italia afërsisht 40. Edhe afatet e qëndrimit në qendrat e mikpritjes janë më të ulëta nga ne sesa pjesa më e madhe e vendeve evropiane. Por, sa u përket kritikave për racizëm që na janë bërë në të kaluarën, vetë gazeta juaj i ka quajtur “gafë” ndaj nesh.
Ju, që jeni një self-made man, a nuk do të kërkonit të hynit në Itali si klandestin, në rast se do të kishit lindur në një vend të botës së tretë dhe të ishit i varfër?
Siç e kam thënë, unë e vlerësoj këdo që tenton të ndërtojë ndershmërisht një të ardhme për veten dhe për fëmijët e tij, duke u integruar në një vend tjetër. Por kam akoma më shumë vlerësim për këdo që tenton të mos e lërë vendin e tij dhe madje të kontribuojë me punën dhe me iniciativën e vet për të begatuar, duke u vënë në shërbim të komunitetit të tij. Unë nuk kam shkuar për të bërë sipërmarrësin në Shtetet e Bashkuara, kam qëndruar këtu.
ENEL është tashmë pronar i 92 përqindëshit të ENDESA-s, kompania elektrike më rëndësishme spanjolle. Kurse pothuajse çdo herë që spanjollët kanë kërkuar të investojnë në Itali, nuk kanë mundur ta bëjnë (rastet Abertis dhe Autostrade, BBVA dhe Banca Nazionale del Lavoro) dhe nuk po përmend shembullin e Telefonica, pasi, megjithëse është aksionisti i mazhorancës te Telecom Italia, nuk e ka në duart e saj kontrollin e kompanisë... Nuk besoni se ekziston një çekuilibër i madh midis të dy vendeve? Nuk besoni se Italia është shumë proteksioniste?
Le të shikojmë faktet. Për sa i përket Abertis e Autostrade, problemi ka lindur me qeverinë e mëparshme, kështu që nuk duhet të më bëhet mua kjo pyetje. BBVA ka qenë aksionist i rëndësishëm i BNL, deri kur ka vendosur që të tërhiqet, duke marrë një plusvalencë të majme. E njëjta gjë vlen për Banco di Santander respektivisht San Paolo, përpara shkrirjes me Banca Intesa. Për më tepër, BNL është blerë nga një bankë franceze. Kur Italia ka hapur tregun e energjisë, janë futur pa probleme grupe të huaja. Investimi i Telefonica është financiar, askush nuk e ka detyruar që të hyjë në këtë pozicion te Telecom. Pastaj dhe mbi të gjitha, qeveria jonë nuk ka ndërhyrë kurrë dhe nuk ndërhyn në ndodhitë e kompanive private. Domethënë, nga ana jonë nuk ka asnjë qëndrim proteksionist. Përkundrazi, investimet dhe kompanitë e vendeve të tjera, me në krye ato spanjolle, janë të mirëpritura në Itali.
Përgatiti: Armin Tirana