E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita: Thaçi po e njeh Serbinë brenda Kosovës

Deklaratat e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhënë ditë më parë se është i gatshëm të takohet dhe të bisedojë me serbët e veriut për t’i zgjidhur problemet së bashku, nga opozita janë konsideruar si një “njohje e Serbisë brenda Kosovës” nga ana e kryeministrit Thaçi.

Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se kreu i Qeverisë ka të drejtë kushtetuese të bisedojë me qytetarët e Kosovës për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Në një intervistë për media serbe, kryeministri Thaçi ka shprehur gatishmërinë për t’u takuar me qytetarët e veriut, duke thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme që t’u ndihmojë atyre dhe për t’i zgjidhur problemet e tyre.

“Dua që të takohem me ata dhe të bisedojmë, të merremi vesh dhe të fillojmë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Edhe kryeparlamentari Krasniqi e mbështet të drejtën e kryeministrit për të biseduar me serbët e veriut.

“Kryeministri e ka detyrë dhe obligim të bisedojë me qytetarët e Republikës së Kosovës. Është e drejtë kushtetuese e tij”, ka thënë shkurt Krasniqi.

Por nga ana tjetër, opozita konsideron se nuk ka hapësirë as për bisedimet aktuale që janë duke u zhvilluar në Bruksel, e lëre më për bisedime të tjera me strukturat ilegale të veriut.

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se nuk mund të bisedohet me ata njerëz që kanë vendosur barrikada dhe që i kanë djegur pikat doganore, të cilët as nuk janë përfaqësues politikë, sepse janë zgjedhur në mënyrë ilegale nga Serbia.

“Prandaj unë nuk dua ta komentojë çka ka thënë zoti Thaçi, por po them mendimin tonë, momentalisht nuk ka hapësirë as për bisedime as për çështjet që janë duke u bërë aktualisht, të ashtuquajtura teknike, e lëre më tash të fillohet të bisedohet dhe në një mënyrë t’u jap njëfarë legjitimiteti njerëzve që për mendimin tonë e kanë vendin në burg dhe jo në tavolinën e bisedimeve”, ka thënë Beqiri.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani konsideron se Qeveria ka plan për zgjidhjen e situatës në veri, por ai plan ëshët i keq për Kosovën dhe qëllimi kryesor i Qeverisë Thaçi, sipas tij, është që t’i legalizojë strukturat paralele, përmes bisedimeve me të ashtuquajturit kryetar të komunave atje.

“Po i legalizon, po i futë brenda njohjes së Qeverisë për ta, pra po i njeh zgjedhjet që i ka mbajtë Serbia në Kosovë që për neve janë ilegale, dhe ashtu janë deklaruar prej Qeverisë dhe prej mekanizmave ndërkombëtarë. Pra në vend se t’i ndjek strukturat ilegale dhe t’i shpërbëjë ato, Hashim Thaçi po don të bisedojë me ta, pra t’i njeh dhe t’i bëjë pjesë të Serbisë brenda Kosovës. Thjesht po e njeh Serbinë brenda Kosovës”, ka thënë Ramadani.

Sidoqoftë, kryeparlamentari Krasniqi mendon se serbëve të veriut duhet t’iu shpjegohet më shumë për përfitimet që i kanë ata nga Plani i Ahtisarit.

“Bisedimet janë për t’i bindur qytetarët, do të ketë përpjekje edhe të ICO-së për të sqaruar edhe njëherë se ndoshta nuk janë qytetarët e asaj pjese të njoftuar me përmbajtjen e dokumentit gjithpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, dhe në këtë drejtim mendoj se ekziston një bashkëpunim i mirë mes institucioneve të Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.

Sa i përket propozimit të ministrit të Jashtëm të Suedisë, për bisedimeve të veçanta për veriun, Krasniqi ka thënë se është e drejtë e ministrave të jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian që të bëjnë kërkesa të tilla, por përgjigjen më të mirë për këtë, sipas tij, e ka dhënë kryeministri i Kosovës, i cili e ka kundërshtuar një ide të tillë.

Krasniqi mohon se përdorimi i dhunës është opsioni i vetëm që ka mbetur për zhbllokimin e situatës në veri, përderisa për përballjen e KFOR-it me barrikaduesit, me ç’rast kanë mbetur disa paqeruajtës të lënduar, Krasniqi ka rikujtuar se ata komandohen nga Brukseli e jo nga Prishtina, dhe ata janë duke bërë përpjekje për vendosjen e rendit dhe ligjit në atë pjesë të Kosovës. (kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›