E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita bjelloruse dëshiron afrim me BE-në

Me qindra pjesëtarë të opozitës në Bjellorusi u tubuan në kryeqytetin Minsk, për të marrë pjesë në Forumin evropian, me qëllim të vendosjes së lidhjeve më të ngushta me BE-në, në prag të samitit të unionit, i cili do të zhvillohet këtë javë në Bruksel.

Bjellorusia ka nevojë për modernizim ekonomik, politik dhe social dhe partneri ynë kryesor natyrisht që është BE-ja, tha Alexander Milinkevitch, kryetar i partisë kryesore opozitare, Lëvizja për liri.

Shtetet anëtare të unionit pritet që këtë javë të miratojnë fillimin e bisedave për forcimin e bashkëpunimit me Bjellorusinë, kanë njoftuar zyrtarët e BE-së.

Në një porosi të xhiruar, të emetuar para pjesëmarrësve në forum, ish-presidenti i Çekisë, Vaclav Havel, theksoi se ai është i sigurt se herët a vonë, miqtë bjellorusë do të mirëpriten në BE.

Shumë pjesëmarrës theksuan se vetë organizimi i forumit dëshmon për përmirësimin e situatës, në krahasim me atë që ka ekzistuar para dy apo tri viteve, kur regjimi i presidentit Alexander Lukashenko kishte ndërmarrë masa të ashpra kundër partive opozitare.

Milinkevitch i cilësoi si kozmetike këto ndryshime, por shtoi se përkundër faktit se në Minsk në pushtet është një regjim autoritar, vendi i tij dëshiron marrëdhënie të rregullta me BE-në.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›