E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozy ofron ndërmjetësim në Lindjen e Mesme

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, ka ofruar që ai të jetë nikoqir i një konference paqësore për Lindjen e Mesme, gjatë takimeve që pati javën e kaluar në Paris me udhëheqësit izraelitë, sirianë dhe palestinezë, ka njoftuar sot një gazetë izraelite.

Sarkozy së pari këtë propozim e shpalosi gjatë takimit me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahun, e më pas edhe gjatë takimeve që zhvilloi edhe me presidentin palestinez dhe atë të Sirisë, Mahmoud Abassin dhe Bashar Assadin, citoi gazeta Haaretz një zyrtar anonim francez.

Në këtë konferencë do të përfshiheshin edhe mbreti i Jordanisë, Abdullahu, presidenti i Egjiptit, Hosni Mubaraku dhe ai i Libanit, Michael Suleiman, si dhe përfaqësuesit e katërshes për Lindjen e Mesme, në të cilën bëjnë pjesë BE-ja, Rusia, OKB-ja dhe SHBA-ja, shtoi zyrtari në fjalë.

Sarkozy javën e kaluar u takua me Netanyahun dhe Assadin në Paris dhe zhvilloi një bisedë telefonike me Abassin, ndihmësit e të cilit theksuan se presidenti francez ka ofruar sugjerime të rëndësishme për rifillimin e procesit të bllokuar paqësor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›