Opozita bojkoton “Ligjet”,maxhoranca miraton “Dosjet”
BLEDAR HOTI
Maxhoranca kalon pa konsensusin e opozitës projektligjin për "Hapjen e Dosjeve", duke miratuar vetëm variantin e saj. Socialistët kërkuan konsensus në lidhje me këtë draft, duke i bërë thirrje, që të mos nxitohen në miratimin e këtij projekti pa pasur më parë një mendim të specializuar nga institucionet ndërkombëtare. Deputeti i PS-së, Bashkim Fino kërkoi, që PD-ja të mos e miratonte këtë projektligj, pasi mungonte Isaraj. "Nuk mund të hyjmë në diskutim nen për nen, ndërkohë që relatori ynë nuk është në mbledhje. Në rast se ju doni ta kaloni pa votat tona, e kaloni, por ne besojmë se nuk duhet të veprojmë kështu për një ligj kaq të rëndësishëm", deklaroi Fino. Por kryekomisioneri Rusmali ka ndërhyrë duke deklaruar "projektligji ka qenë në programin e punës së komisionit dhe ka qenë për ditën e sotme". "Nga ana e stafit është kontaktuar siç kontaktohet çdo anëtar i komisionit edhe zoti Isaraj, por ai nuk është në Tiranë. Axhenda ka qenë e publikuar, prandaj unë them se nuk kemi se ç'të presim, pasi ne kemi detyrimin për të vazhduar punën", deklaroi Rusmali. Ndërsa relatori demokrat Aldo Bumçi ka akuzuar opozitën, se ka lënë pezull për gjashtë muaj qëndrimin e saj për këtë projektligj. Ndërsa deputeti i PS-së, Pandeli Majko kontestoi qëndrimin e Bumçit duke theksuar, se socialistët janë për hapjen e plotë të dosjeve. "Përgjigja jonë është publike dhe e sinqertë. Jemi apo nuk jemi për të hapur dosjet? Përgjigja është po, se përndryshe nuk do të kishim depozituar projektligjin që para disa vitesh. Por mënyra sesi ju kërkoni ta bëni këtë duke përsëritur historitë e vjetra të vitit 1996 është komike dhe u ngjajnë atyre vargjeve të Agollit: "Rrëmbeni darën shpejt o trima, hoqa gozhdën mbeti vrima", deklaroi Majko. Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, nisur nga mungesa e relatorit Isaraj kërkoi shtyrjen e shqyrtimit të këtij projektligji. "Mua, për hir të vërtetës, nuk më pëlqen ky bikiring i shqyrtimit të projektligjit. Mbaroi dashuria, filloi lufta midis jush", është shprehur Braho. Deputetët e PD-së e kanë cilësuar si jonormal qëndrimin e opozitës, duke kërkuar që të kontribuojmë me këtë projektligj. "Sinqerisht mua më vjen keq që të gjithë këta zotërinj anëtarë të Komisionit vazhdojnë të mbajnë ende këtë qëndrim. Prandaj nuk mendoj se duhet të presim verën tjetër që të nxehet prapë debati", deklaroi demokrati Dashnor Sulaj. Pro shtyrjes ka qenë edhe deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi. Rusmali më pas ka hedhur për votim propozimin e opozitës, por shtatë deputetët e maxhorancës e rrëzuan kërkesën kjo bëri, që opozita të braktisë mbledhjen e komisionit. Socialisti Xhafaj përpara largimit i bëri thirrje Kryeministrit Berisha se "nuk është mirë që disa gjëra të prishen në këtë mënyrë, sepse ky nuk është një ligj as për PS-në dhe as për PD-në, ky është një ligj, që ka krijuar dhe do të krijojë probleme në shoqërinë shqiptare dhe nuk mund të bëhet me koka të nxehta".
kush preket nga ligji per kontrollin e figurave
Neni 3
Subjektet e verifikimit
Subjekti i verifikimit sipas këtij ligji, janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar aktualisht që ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme:
a) Presidenti i Republikës së Shqipërisë
b) Deputetët e Kuvendit
c) Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zv/ministrat, funksionarët politikë, sekretarët e përgjithshëm, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në institucionet e tjera shtetërore qendrore ose të pavarura;
d) Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët pranë gjykatave dhe prokurorive të së gjitha niveleve;
e) Funksionarë të lartë të Presidencës, të administratës së Kuvendit, KLD-së, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në germën c;
f) Guvernatorë, zv/guvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;
g) Funksionarët në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë "Gjeneral" dhe "Kolonel"
h) Prefektët, kryetarët e këshillave, si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave;
i) Në SHISH, SHIU dhe SHIR dhe çdo shërbim tjetër inteligjent;
j) Drejtuesit e përfaqësive diplomatike;
k) Rektorë, zv.rektorë, dekanë, zv/dekanë të universiteteve publike; akademikë
l) Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës apo i zgjedhur nga Kuvendi.Neni 4
Papajtueshmëria e funksioneve
Pastërtia e figurës morale të funksionarit publik të përcaktuar në Nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme, me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 29 nëntor 1944-8 dhjetor 1990, të një prej detyrave të më poshtme:
d) Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i KQ të PPSH-së, me përjashtim të rasteve kur ai ka vepruar kundër vijës zyrtare apo është larguar nga vetë detyra në mënyrë publike;
e) Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm;
f) Zv/ministër i Punëve të Brendshme dhe çdo punonjës i organeve të Sigurimit të Shtetit;
g) I dënuar me vendim penal të formës së prerë për krime kundër njerëzimit ose për veprat penale të shpifjes, të kallëzimit të rremë ose dëshmisë së rreme në procese politike;
h) Bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në veprimtari të karakterit politik, që lidhen me veprat penale politike të parashikuara nga ligji nr.7514, datë 30.09.1991, "Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe përndjekurve politikë" (të ndryshuar), apo bashkëpunëtorë vullnetarë për vepra të tilla.
i) Anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve;
j) Hetues apo ndihmës-hetues, prokuror apo ndihmës prokuror, gjyqtar apo ndihmës-gjyqtarë në procese politike;
k) Denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset gjyqësore politike.